Kosova mund të jetë e kënaqur me rezultat e shumta të arritura, kur pak ditë e ndajnë nga kremtimi i dhjetë viteve që nga shpallja e pavarësisë (17 shkurt 2008), pavarësisht se pesë vende të BE-së ende nuk e njohin “faktin që ne jemi shtet”.
Këtë e theksoi ministri i jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli, në një intervistë dhënë “AgenziaNova” gjatë vizitës së tij në Romë, njofton zyra për media e MPJ-së.
Pas takimit në Ministrinë e Jashtme Italiane me ministrin Angelino Alfano, të cilin e ka përshkruar si “të shkëlqyer dhe të dobishëm për rrugën e integrimit evropian” të Prishtinës, Pacolli ka marrë pjesë në Società Dante Alighieri për prezantimin e biografisë së tij “Asgjë nuk është e pamundur”.
Në njoftimin e zyrës së MPJ-së, vend i lihet edhe lavdit për punët private të biznesmenit Pacolli.
“Ministri i Jashtëm i Kosovës është në fakt edhe themeluesi i kompanisë ndërkombëtare të ndërtimit Mabetex, e cila ka restauruar Kremlinin dhe ka ndërtuar shumë ndërtesa të kryeqytetit të Kazakistanit Astana, dhe është një mbështetës i dialogut në Ballkan për të krijuar një ‘antikamera’ rajonale me qëllim integrimin në BE”.
“Për mua është një gjë e mrekullueshme që Kosova është e pavarur: jam i kënaqur me mënyrën se si gjërat kanë shkuar edhe pse disa vende ende nuk na njohin si shtet”, citohet të ketë thënë Pacolli në intervistën për “AgenziaNova”.
Sipas ministrit të jashtëm “ka një dallim midis pavarësisë së Kosovës dhe aspiratës së popujve të tjerë të jenë të pavarur”, pasi në rastin e Tirolit Jugor në vitet shtatëdhjetë, ose tashmë e Katalonjës pretendimet “kanë si bazë një jetë të rregulluar dhe standarde të larta jetese”, prandaj kërkesat e tyre janë “luksoze”, ndërsa “Kosova për të mundë të ekzistuar duhet të ishte e pavarur, sepse ka ndodhur një shfarosje dhe një konflikt”.
“Kosova ka bërë shumë në këto vite”, thotë Pacolli. “Që nga shpallja e pavarësisë në vitin 2008, kanë kaluar dhjetë vjet: kemi ndërtuar një shtet, institucione dhe kemi një legjislacion modern dhe infrastruktura funksionale”, njofton zyra e tij.
Sipas mendimit të tij, fakti që pesë shtete të Bashkimit Evropian nuk e kanë njohur ende pavarësinë e Kosovës është negativ, “por ne dimë arsyet” për të cilat ata nuk kanë zgjedhur të ndërmarrin këtë hap. Përveç rastit të veçantë të Spanjës, për të cilën janë të vlefshme shqetësimet në lidhje me legjitimitetin e forcave të brendshme secesioniste në vendet Baske dhe në Katalonjë, sipas Pacollt katër vendet e tjera të BE-së kanë zgjedhur këtë linjë për “arsye veçanërisht fetare”, pasi bëhet fjalë për kombe me një shumicë të krishterë ortodokse: Greqia, Qipro, Sllovakia dhe Rumania.
“Për Spanjën, situata është pak më ndryshe”, thotë ai, ndonëse duhet thënë se edhe Katalonja përfaqëson një “situatë të ndryshme” krahasuar me rastin e Kosovës.
“Por ne nuk jemi të zemëruar”, vazhdon ministri, duke thënë se ai është i bindur se herët a vonë do të ketë një përafrim të të gjitha vendeve të BE-së mbi pavarësinë e, siç i referohet MPJ-ja, Prishtinës.
“Sigurisht”, shton Pacolli, mungesa e njohjes nga këto pesë vende të BE-së ka penguar rrugën e integrimit evropian të Kosovës, por jo aq shumë saqë të mos mund të njihej nga 115 vende në botë dhe të mos bëhet anëtare e 62 organizatave të ndryshme rajonale dhe ndërkombëtare.
Përveç kësaj, me disa demokraci të mëdha kemi marrëdhënie të shkëlqyera: Shtetet e Bashkuara, Japonia, Kanadaja, vendet evropiane si Italia, Gjermania dhe Franca”.
“Natyrisht, do të ishte e drejtë që të pranohej ky realitet, pasi që Kosova tashmë ekziston dhe asgjë s’mund të bëhet për ta ndryshuar atë”, përfundon ai.
Duke kaluar te marrëdhëniet me Serbinë, Pacolli thotë se dialogu do të ketë një shtysë në muajt e ardhshëm, pavarësisht nga ngjarjet e fundit të ndodhura në Mitrovicën e Veriut me vrasjen e udhëheqësit serbo kosovar, Oliver Ivanoviq.
“Serbia nuk duhet ta njohë domosdoshmërisht pavarësinë e Kosovës, por nuk duhet të ndalë udhëtimin e Prishtinës drejt Evropës”, thotë Pacolli pasi “ne e pranojmë Serbinë si një fakt ekzistues shumë të rëndësishëm për paqen dhe stabilitetin në Ballkan dhe e dimë që Beogradi mund të kontribuojë shumë në këtë drejtim “dhe prandaj” duhet të pranojë faktin se Kosova është shtet i pavarur “.
“Nëse ne nisemi nga ky fakt, edhe dialogu për normalizimin e marrëdhënieve duhet të shkojë më mirë”, ka thënë Pacolli. Sipas tij “2018 do të jetë një vit vendimtar” për dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, në mënyrë që të “diskutohen gradualisht çështje të rëndësishme për të mirën konkrete të qytetarëve “.
Duke kaluar te tema për iniciativën parlamentare për shfuqizimin e Gjykatës Speciale për krimet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Pacolli e bën të qartë se në çdo rast nuk do të dëmtohen marrëdhëniet me aleatët ndërkombëtarë.
“Mendoj se Kosova nuk do të dëmtojë marrëdhëniet me bashkësinë ndërkombëtare, për shkak se shumica e qytetarëve të Kosovës nuk e dëshiron atë, ajo dëshiron, që Gjykata Speciale të vendosi drejtësinë”, thekson Pacolli, por, gjithashtu vë në dukje se lindja e kësaj organizate, me seli në Hagë, e krijuar në vitin 2015 nga një ligj kosovar, “ndoshta nuk ishte e drejtë” sepse “duhet të kishte trajtuar edhe krime të tjera” dhe jo vetëm ngjarjet, që ndodhën në 18 muajt e fundit të konfliktit në Ballkan.
“Juridiksioni i Gjykatës Speciale”, shpjegon ai “duhet të shkonte edhe më tej prapa në kohë, në mënyrë që të mos ishte i kufizuar vetëm për anëtarët e UÇK-së, por edhe për të hetuar të tjerët të cilët kanë kryer krime gjatë konfliktit në Ballkan”. Por, përsërit edhe nëse një rishikim i ligjit themelues do të ishte i dëshirueshëm, “ne nuk mund të bëjmë asgjë dhe tani ne duhet ta pranojmë ashtu siç është: Kosova duhet të respektojë të gjitha detyrimet e marra në nivel ndërkombëtar”.
Sipas Pacollit, për më tepër, fakti që një mungesë e mundshme e Bashkimit Evropian në rajonin e Ballkanit mund të plotësohet nga Rusia është një “problem i vërtetë”.
“Unë mendoj se Evropa nuk duhet të ndalojë së qëni e pranishme në Ballkan, por duhet të rrisë këtë prezencë, sepse ky territor është i NATO-s dhe i Evropës. Pra, nuk është mirë të shkosh në shtëpinë e të tjerëve dhe të diktosh rregullat “.
Së fundmi, Pacolli përmend çështjen e liberalizimit të vizave në BE për qytetarët kosovarë. Sipas Ministrit të Jashtëm të Prishtinës, mungesa e liberalizimit të vizave u pengon shumë të rinjve kosovarë lirinë e lëvizjes dhe të udhëtimit.
Dhe mungesa e liberalizimit të vizave është lidhur nga BE me ratifikimin e marrëveshjes për kufijtë me Malin e Zi, një hap që parlamenti i Kosovës nuk mund ta përmbushë për shkak të qëndrimit të opozitës.
Sidoqoftë, Pacolli përfundon me një shënim pozitiv, duke folur për një “proces gradual” të bazuar në dialogun rajonal. Në këtë drejtim, Kosova ka patur tashmë dy takime ndërqeveritare me Shqipërinë këtë vit, një takim me ish Republikën Jugosllave të Maqedonisë dhe ndoshta do të ketë një tjetër deri në fund të vitit me Malin e Zi.
PSG triumfon nga Monaco në një ndeshje me shumë gola
Ulni faturat e energjisë me një truk që ruan nxehtësinë në s...
Aksident zingjiror në Prishtinë
Arrestohet një i mitur i dyshuar për veprën penale “Vjedhje ...
Tre shenjat më kreative të zodiakut që kanë gjithmonë ide të...
Natyraliteti i femrave bëhet ‘mollë’ sherri i një debati të ...