Google ADS

Pacolli pritet të udhëtojë në Serbi

22:09 | 17 Korrik 2018
V. S.

Zëvendëskryeministri dhe ministri i jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli, mund të shkojë në Serbi, të shtunën, në rast se autoritetet e këtij shteti i japin leje.

Në emër të tij është adresuar një ftesë për të qëndruar, më 21 e 22 korrik, në qytetin e Novi Pazarit, por edhe në disa komuna tjera në zonën e Sanxhakut.

Ftesa, të cilën e ka siguruar Klan Kosova, është bërë nga Këshilli Kombëtar Boshnjak.

Pacolli është ftuar në cilësinë e Zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Jashtëm, të Republikës së Kosovës.

Nmri dy i qeverisë së Kosovës është paraparë të marrë pjesë në takimin solemn të Këshillit Kombëtar Boshnjak dhe në tribunën me temën: “Procesi i vendosjes së stabilitetit dhe bashkëpunimit rajonal në Ballkan”.

Agjenda për ditën e dytë, sipas ftesës, parasheh vizita nëpër komunat tjera të Sanxhakut dhe rrafshnaltën e Peshterit.

“Pranimi i kësaj ftese dhe ardhja juaj i bën nder të madh Këshillit Kombëtar Boshnjak, boshnjakëve dhe të gjithë qytetarëve të Sanxhakut”, thuhet në fund të ftesës, që është nënshkruar nga sekretari i Këshillit, Mirza Hajdinoviq.

E Pacolli, në një prgjigje për Klan Kosova, ka thënë se do të shkojë në Novi Pazar, nëse autoritetet e Serbisë i japin leje.

Sanxhaku është një rajon që shtrihet në Serbi e Mal të Zi, e i cili banohet kryesisht me popullatë boshnjake. Deri vonë, në pjesë të ndryshme të kësaj zone kanë jetuar edhe shqiptarët./klan kosova/

Image

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme