Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, z. Behgjet Pacolli, ka marrë pjesë dhe ishte panelisti kryesor në Tryezën e Diskutimit të organizuar nga Instituti i Prishtinës për Studime Politike, PIPS të titulluar “Politika e Jashtme Kosovare: Prioritetet dhe Sfidat”.
Me këtë rast, kreu i diplomacisë kosovare, referoi mbi rolin dhe rëndësinë e përfshirjes së shoqërisë civile përkitazi me këtë çështje; kapitalizimin e procesit të njohjeve të Republikës së Kosovës; reformat që po ndodhin në Ministrinë Punëve të Jashtme, diplomacinë ekonomike si dhe mbi fazën përfundimtare të dialogut me Serbinë.
Sa i përket pikës së parë, Ministri Pacolli, ka vlerësuar kontributin e deritanishëm të shoqërisë civile mbi politikën e jashtme dhe në të gjitha fazat konsolidimit të shtetit të Kosovës, duke theksuar rëndësinë që do ta ketë përfshirja dhe angazhimi i tyre edhe në të ardhmen.
Duke folur mbi mbarëvajtjen dhe dinamikën e procesit të njohjeve, Ministri Pacolli, ka thënë se “Kosova brenda ekzistencës së saj dhjetë-vjeçare si shtet i Pavarur dhe Sovran ka bërë hapa të mëdhenj në këtë drejtim, duke rritur numrin e njohjeve në 117”, por ka përmendur edhe sfidat, respektivisht ndryshimin e rrethanave në politikën ndërkombëtare dhe ballafaqimin me një fushatë gjithnjë e më agresive nga ana e Serbisë.
Mbi temën e njëjtë, ai e ka konsideruar si të rëndësishme, që Kosova të fokusohet në dy drejtime: E para: të punohet me vendet, që e kanë njohur Kosovën dhe avancohen edhe më tej marrëdhëniet në mes dy vendeve dhe paralelisht me këtë të punohet edhe në sigurimin e njohjeve të reja.
Reforma tashmë e nisur në Ministrinë e Punëve të Jashtme ka qenë një temë tjetër, mbi të cilën Ministri Pacolli është ndalur në prezantimin e tij. Në lidhje me këtë, ai ka përmendur Ligjin e ri për Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe nevojën për ta ruajtuar ekuilibrin në mes ndikimit politik dhe diplomatëve të shërbimit të karrierës. Tutje, ai, përmendi edhe mundësinë e përfshirjes së një Akademie Diplomatike të vendeve partnere për të rivlerësuar Gradat e Karrierës. Një shtyllë të rëndësishme në politikën e jashtme të Kosovës, Ministri Pacolli e ka renditur edhe Diplomacinë Ekonomike nëpërmjet së cilës do të mund të rriteshin investimet e huaja në Kosovë ashtu si edhe krijimi i mundësive të reja për bizneset vendore në raport me shtetet tjera.
Sa i përket fazës përfundimtare të dialogut me Serbinë dhe arritjes së një Marrëveshje të detyrueshme ligjore, Ministri i Jashtëm Pacolli ka thënë se ky proces duhet të mbështetet në tri elemente: Të ketë një kornizë të qartë kohore; të jetë tematik dhe të përfundojë me njohje të ndërsjellë në mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë. Sipas kryediplomatit kosovar, Plani Ahtisaari duhet të shihet si maksimumi i koncesioneve të bëra nga ana e Kosovës.
Në këtë tryezë kanë marrë pjesë edhe Kryetarja e Komisionit për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike, znj Vjosa Osmani, anëtarë të këtij Komisioni, përfaqësues nga Presidenca, një pjesë e Ambasadorëve nga Kori Diplomatik i akredituar në Prishtinë, përfaqësues të Organizatave të ndryshme nga Shoqëria Civile si dhe ekspert të politikës së jashtme.
Kryeministri Kurti thërret sonte konferencë për media
Osmani për shpërthimin në Zubin Potok: Bandat kriminale serb...
Shpërthimi në Ibër Lepenc, Aivo Orav: E dënoj rastin, përgje...
ShBA-ja dënon sulmin në Ibër-Lepenc: Qeveria e ka mbështetje...
Momentet më pikante mes Sarës dhe Drilonit, çfarë po ndodh m...
Rusia mbyll muzeun e njohur që dokumenton mizoritë e Gulagut