Pacolli-Osmanit: Institucioni juaj po rrezikon sigurinë time dhe të familjes sime

20:00 | 8 Gusht 2024
E.G

Ish-Presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli i ka reaguar presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani duke thënë se “ka një kohë një fushatë linçuese dhe dizinformative po realizohet nga institucioni juaj, duke më ofenduar disa herë dhe duke më quajtur serbofil dhe rusofil”

Me anë të një postimi në Facebook, ai ka thënë se nuk ka arsye për këtë teksa ka shtuar se me këto akuza institucioni i Presidencës po rrezikon sigurinë e tij dhe familjes së tij, shkruan Arbresh.info.

“E gjithë kjo ka ndodhur sepse institucioni juaj nuk respekton mendimin e të tjerëve.”, ka shkruar Pacolli.

Mes të tjerash, ai i ka kujtuar asaj se ka votuar pro zgjedhjes së Osmanit në postin që ajo sot gëzon, pavarësisht dallimeve.

“Ju nuk jeni thjesht një komentuese pa lidhje dhe pa edukatë, por një person me rëndësi që gëzon besimin e të gjithë qytetarëve të Kosovës dhe më gjerë. Siç e mbani mend mirë, unë  votova për zgjedhjen tuaj ( por jetem kaq ) pavarësisht dallimeve tona në shumë çështje, e konsiderova zgjedhjen e duhur në atë kohë në respekt të rezultateve të zgjedhjeve dhe kandidaturës tuaj.”, ka shkruar kreu i AKR-së.

Pacolli ka kërkuar që të paraqiten prova publike lidhur me akuzat e ngritura nga Presidenca.

“Sigurisht që nuk lejoni degradimin e institucionit të presidentit për të akuzuar dikë pa prova. Dilni me prova, thoni çdo gjë që dini, përndryshe qytetarët do ta kuptojnë se nga institucioni juaj është shpifur se paku, dhe është udhëhequr një fushate linçuese ndaj meje.”, u shpreh ai.

“Duke marrë parasysh se institucioni juaj nuk mund të shpifë apo të gënjejë, ajo që ju thoni duhet të jetë e vërtetë dhe e mbështetur nga faktet. Institucioni dhe familjar te tuaj e kanë përsëritur këto akuza disa herë; tani, ju lutem të tregoni cilat janë faktet?”, u shpreh Pacolli./Arbresh.info/

Të ngjashme