Kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli ka thënë se preferojnë opozitën, nëse arrijnë ta kalojnë pragun zgjedhor. Ai, gjithashtu thotë se me Nismën edhe mund të ndahen, por tha se kjo mund të ndodhë nëse kanë ide të kundërta.
Lideri i AKR-së, Behgjet Pacolli ka folur për mundësinë e hyrjes në qeverinë e ardhshme ku ka thënë se fillimisht po presin certifikimin e rezultateve. Ka theksuar se edhe nëse NISMA-AKR e kalon pragun, opozita do të ishte më e përshtatshme
“Nëse e kalojmë pragun, jam i mendimit që duhet të mbetemi në opozitë dhe të japim kontributin tonë nga bankat e opozitës”, deklaroi për RTV Dukagjinin, Behgjet Pacolli.
Ndërkaq duke folur për koalicionin me NISMA-n, Pacolli ka deklaruar se një grup parlamentar i përbashkët do të ishte i mirëseardhur mirëpo nëse kanë ide të kundërta edhe mund t’i ndajnë rrugët.
“Do të shohim cilat janë synimet e NISMA-s dhe ato të AKR-së. Nëse ka elemente për bashkëpunim ne do të bashkëpunojmë edhe në të ardhmen. Nuk besoj se do të ketë diçka të keqe që ne të kemi një grup parlamentar të përbashkët. Mirëpo nëse e shoh se NISMA ka një synim tjetër ne nuk do të prishemi por do të ecim në rrugën tonë ata në të tyren”, deklaroi më tej Behgjet Pacolli.
Ish deputetja e Nismas Albulena Balaj në një përgjigje me shkrim për RTV Dukagjinin ka thënë se deri tash nuk ka qëndrime të kundërta mes tyre e AKR-së. Ka shtuar se mbetet të shihet pas certifikimit të rezultateve nëse do të mbesin në opozitë ose jo.
“Se a do te jemi ne opozite ose jo, kjo do te shihet nëse do te kemi ndonjë oferte për Qeverinë e ardhshme, te analizohet, pastaj do te vendosim ne organet e partisë“, thuhet në përgjigjen e Albulena Balaj-Halimi.
Ndryshe në QNR po vazhdon ende rinumërimi i mbi 1,400 vendovotimeve, kurse do të mbetet e paqartë deri në fund nëse NISMA do të jetë mbi pragun zgjedhor.