Google ADS

Pacolli: Në pjesën e parë të vitit 2018, kosovarët do të udhëtojnë pa viza

14:34 | 9 Dhjetor 2017
Arbresh.info

Zëvendëskryeministri i Kosovës dhe ministri i Jashtëm, Behgjet Pacolli ka thënë se viti  2018 do të jetë viti kur Kosovës do t’i hiqen vizat.

Ai ka shprehur bindjen se një gjë e tillë do të ndodhë në pjesën e parë të vitit të ardhshëm.

E njëri ndër kushtet kryesore që kosovarëve tu mundësohet lëvizja e lirë në zonën ‘Schengen’ është edhe ratifikimi i Marrëveshjes për shënjimin e kufirit me Malin e Zi.

“Shpresoj se viti 2018 do të jetë vit ku qytetarët do të lëvizin lirshëm. Unë shpresoj shumë që në pjesën e parë të vitit dhe viti 2018 do të jetë viti me të cilin ne sigurisht do të shënojmë edhe historinë e shtetbërjes tonë”, është shprehur  Pacolli.

Por, për të ndodh një gjë e tillë, Kosova duhet që marrëveshjen që përcakton vijën kufitare mes Kosovës dhe Malit Zi, ta ratifikojë në Kuvend në janar të vitit të ardhshëm.

Të paktën një praktikë e tillë ka ndodhur me shtetet e rajonit, Shqipërinë e Bosnje Hercegovinë të cilave u është dashur afër 6 muaj për t’iu hequr vizat, pas propozimit nga Komisioni Evropian.

Këtë e ka shpjeguar ish-zëvendësministri i Integrimeve Europiane, Ramadan Ilazi.

Ai duk shpjeguar hapat deri të propozimi i Komisionit Evropian për heqjen e vizave, ka thënë se mund të shkojë deri në 6 muaj që të merret vendimi që Kosovës t’i hiqen vizat, pas propozimit të komisionit.

“Hapi i ardhshëm do të ishte miratimi, në Komitetin për Liritë Civile, Drejtësinë dhe Punët e Brendshme (LIBE) të Parlamentit Evropian, i nisjes për fillimin e negociatave midis Parlamentit dhe Këshillit të Bashkimit Evropian për tu pajtuar për tekstin e propozimit që do të duhej të miratohej në seance plenare të Parlamentit Evropian si dhe pastaj nga Këshilli i Bashkimit Evropian. Nëse Parlamenti dhe Këshilli nuk pajtohen, atëherë krijohet një komitet me pjesëmarrje nga Parlamenti, Këshilli dhe Komisioni për të akorduar qëndrimet dhe për të prodhuar një tekst të propozimit që mund të kaloj në Parlament dhe Këshill. Këshilli voton me shumicë të cilësuar, që nënkupton se Kosovës i duhet përkrahje e konsiderueshme nga Shtetet Anëtare të BE-së. Pas votimit në Këshill, duhen deri në tre javë që propozimi i miratuar të publikohet në Gazetën Zyrtare të Bashkimit Evropian, ndërsa hyrja në fuqi zakonisht ndodh në ditën e 20-të pas datës së publikimit në Gazetën Zyrtare të BE-së, mirëpo mund të aranzhohet që vendimi të hyj në fuqi edhe më herët nëse ka kërkesë të tillë nga Shtetet Anëtare të BE-së si në rastin e Shqipërisë dhe Bosnjës. Në kuptimin e kornizës kohore, nëse shikojmë rastin e Shqipërisë dhe Bosnjës, propozimi legjislativ nga Komisioni Evropian u bë më 27 maj 2010 ndërsa vizat u hoqën më 15 dhjetor 2010, pra janë dashur afër 6 muaj”, ka sqaruar Ilazi, për lajmi.net.

Heqje të vizave brenda një kohe të shkurtër ka premtuar edhe kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj.

Ai të shtunën ka thënë se shumë shpejtë do të ketë lajme për heqjen e vizave, ndërsa se kur do të hyjë në fuqi, sipas tij nuk dihet.

Kosova kishte marrë rekomandimin për heqje të vizave nga Komisioni Europian në vitin 2015. Por, njëri nga kushtet kryesore të  vëna nga BE, është edhe ratifikimi  Demarkacioni me Malin e Zi, e po ashtu edhe lufta kundër korrupsionit. /Lajmi.net/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme