Google ADS

Pacolli merr konfirmimin e mbështetjes së Turqisë për Kosovën

21:29 | 26 Tetor 2017
M. A.

Në ditën e parë të vizitës në Ankara, Zv/kryeministri dhe ministri i jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli kërkoi nga homologu turk Mevlut Cavusoglu, që Turqia të shfrytëzojë autoritetin për të kërkuar nga Serbia që të zhbllokojë linjën e interkoneksionit Kosovë-Shqipëri.

Ai kërkoi mbështetje nga Turqia edhe për dialogun ndërmjet dy vendeve, që sipas tij, vitin që vjen mund të ketë marrëveshje të paqes mes të dy shteteve.

Pacolli kërkoi nga Turqia më shumë në Kosovë sidomos në agrobiznes, në mënyrë që vendi të mos varet nga produktet një burimore që vijnë nga Serbia.

“Në Kosovë në vit hyjnë mbi 1 miliard euro prodhime ng Serbia dhe interesi i Kosovës është që të mos varet nga produktet një burimore, andaj Turqia mund ta bëjë ndryshimin”, tha Pacolli.

Ndërsa kryediplomati turk, Mevlut Cavusoglu tha se Turqia do të vazhdojë të lobojë për Kosovën në arenën ndërkombëtare derisa premtoi intensifikim të raporteve ekonomike mes dyja vendeve.

“Do të nxisim bizneeset tona për të bërë më shumë investime në Kosovë dhe rritja ekonomike e Kosovës është prioritet i yni. Ligji për investime strategjike i miratuar nga Kosova u mundëson bizneseve turke që të sjellin më shumë investime atje. Në takimet që bëmë sot biseduam edhe procesin e ratifikimit të marrëveshjes për tregti të lirë dhe besoj që në të ardhmen raportet mes Kosovës e Turqisë do të jenë të një niveli akoma më të madh. Biseduam po ashtu për disa masa që janë marr për sa i përket luftës me orgnizatën e Fetullah Gylenit. Dhe është e natyrshme që edhe Kosova të përfshihet në këto masa sepse është e papranueshme që në Kosovë të ketë një organizatë të tillë”, tha Mevlut Cavusoglu, ministër i jashtëm i Turqisë.

Gjatë ditës, diplomati kosovar u prit edhe nga kryetari i Kuvendit të madh të Turqisë, Ismail Kahraman. Ai bëri nderime edhe para varrit të themeluesit të Turqisë moderne, Kemail Ataturk.

Të premten, Pacolli do të pritet edhe nga kryeministri i Turqisë, dhe do të marrë pjesë në forumin që do të mbahet mes bizneseve të Kosovës dhe të Turqisë.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme