Pacolli mbështet fuqishëm “Marshin për Drejtësi”: Nuk mund të heshtim kur gjykohet lufta jonë për liri dhe pavarësi

17:37 | 30 Mars 2023
E.H

Ish-presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli ka dal në mbështetje të marshit për drejtësi, i cili do të mbahet më 2 prill në Prishtinë, në mbështetje të krerëve të UÇK-së, të cilët janë në Hagë.

Pacolli, me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, ka thënë se e përkrah fuqishëm marshin për drejtësi sepse sipas tij nuk mund të heshtim kur na sulmohet liria.

“Për këtë të dielën, përkrahi fuqishëm marshin për drejtësi, sepse nuk mund të heshtim kur po na sulmohet historia, kur gjykohet lufta jonë për liri dhe pavarësi dhe kur ata që bënë gjenocidin në Kosovë sot ecin të lirë në Beograd dhe drejtojnë çdo instancë shtetërore. në Serbi”, ka shkruar Pacolli, përcjell Arbresh.info.

Postimi i tij i plotë:

Javën e ardhshme fillon gjyqi ndaj drejtuesve të UÇK-së të cilët ndodhen në paraburgim prej dy vitesh e gjysmë.
Askush nuk është kundër drejtësisë, askush nuk kërkon diçka që nuk mund të bëhet.

Por ne si kosovarë nuk mund të heshtim kur ata mbahen në paraburgim për dy vjet e gjysmë, duke shkelur të drejtat e garantuara me kushtetutën e Kosovës dhe konventat ndërkombëtare.

Kjo bëhet më e vështirë kur krerët e gjenocidit që serbët bënë në Kosovë janë liruar nga Tribunali i Hagës dhe disa prej tyre kanë qëndruar në Beograd gjatë procesit.

Për këtë të dielen, përkrahi fuqishëm marshin për drejtësi, sepse nuk mund të heshtim kur po na sulmlohet historia, kur gjykohet lufta jonë për liri dhe pavarësi dhe kur ata që bënë gjenocidin në Kosovë sot ecin të lirë në Beograd dhe drejtojnë çdo instancë shtetërore. në Serbi.

Për këtë, përkrahi marshin për drejtësi dhe le të jemi të gjithë në mbrojtje të luftës sonë çlirimtare. Ne nuk guxojmë të lejojmë që kapitulli më i ndritur i historisë së Kosovës të rishkruhet me agjendën dhe lapsin e Beogradit.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme