Ish-presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli ka dënuar fuqishëm sulmet ndaj KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe gazetarëve nga protestuesit serb në veri të vendit.
Gjithashtu, Pacolli ka bërë thirrje që të ndalet sulmet e nxitura të orkestruara nga Beogradi, përcjell Arbresh.info.
“Dënoj fuqishëm sulmet e sotme ndaj KFOR-it, policisë së Kosovës dhe gazetarëve në veri të Republikës së Kosovës. Gjithashtu shpreh shqetësimin tim për eskalimin e situatës dhe bëj thirrje që të ndalen sulmet e nxitura dhe të orkestruara nga Beogradi”, ka shkruar Pacolli.
Përmes një postimi në Facebook, Pacolli i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të koordinohet me aleatët amerikan dhe evropian.
“Në të njëjtën kohë shpreh idenjatën time me veprimet e pakoordinuara të qeverisë së Republikës së Kosovës. Injorimi i kërkesave të aleatëve të vendit tonë dhe moskoordinimi i veprimeve nuk janë në interesin e Republikës së Kosovës me aleatet. Për këtë i bëj thirrje qeverisë që të rikthehet traditës disa dekadëshe të ndërtuar në Republikën e Kosovës për koordinim me aleatët amerikanë dhe evropianë”, ka shkruar tutje Pacolli.
Sulmet e sotme në veri, sipas Pacollit, e fusin Kosovën në konfrontim të panevojshëm më aleatët në kohën kur siç thotë kryetari i AKR-së, kemi më së shumti nevojë.
“Sovraniteti dhe integriteti i Republikës së Kosovës mbrohet vetëm kur kemi koordinim me garantuesit e sigurisë së Republikës së Kosovës, aleatët amerikanë dhe evropianë në NATO. Këto pamje të ditëve të fundit dhe posaçërisht sot, të eskalimit të gjendjes në veri, nuk ndihmojnë Republikën e Kosovës dhe vetëm e fusin vendin tonë në konfrontim të panevojshëm me aleatët, në kohën kur kemi më shumë nevojë për progres dhe zhvillim duke promovuar bashkërendimin me aleatët tanë”, tha ai.
Në fund, Pacolli u ka uruar shërim të shpejt të lënduarve duke shpresuar që gjendja të normalizohet dhe mospajtimet të adresohen duke u koordinuar me aleatët tanë./Arbresh.info/