Pacolli deklarohet për mundësinë qe t’i bashkohet koalicionit PAN

21:52 | 7 Korrik 2017
M. A.

Presidenti i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli ka hedhur poshtë çdo mundësi qe t’i bashkohet koalicionit PAN për të formuar Qeverinë.

I pari i AKR-së, ka thënë se ai do ta respektoj marrëveshjen për koalicion me LDK-në dhe Alternativën.

Sipas tij, vendimi se si do të procedohet tutje do të merret bashkërisht.

“Unë do të jem besimtar i koalicionit. Dhe jashtë koalicionit nuk do të ketë asnjë vendim. Pra, bashkë me partnerët e koalicionit parazgjedhor. Asgjë jashtë vendimeve të koalicionit”, ka thënë Pacolli për ‘Indeksonline”.

Pacolli ka thënë se pas certifikimit të zgjedhjeve do të bëjnë një vlerësim të procesit zgjedhor dhe do të vendosin për hapat e radhës.

Mediet vazhdimisht kanë spekuluar se disa deputetë të AKR-së do të votojnë për Haradinajn kryeministër.

AKR në zgjedhjet nacionale të 11 qershorit ka siguruar katër mandate në Kuvendin e Kosovës.

Përveç, Pacollit kjo parti në Kuvend do të prezantohet edhe me Korab Sejdiun, Labinot Tahirin dhe Islam Pacollin.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme