Faza e re e dialogut mes Kosovës e Serbisë, për Behgjet Pacollin e AKR-Së, nuk është vazhdim i asaj ku ka mbetur, por është rishikim i të gjitha marrëveshjeve.
“Dhe çdokush që ka marrë pjesë në këtë proces është i interesuar që të përmbushen premtimet, marrëveshjet. Për këtë ishte numri i madh i kosovarëve atje. Mua mu dukën shumë njerëz atje. Secili ndoshta ka pas funksionet e veta. Do të doja të ishte proces më efektiv”, ka thënë Pacolli në Interaktiv të KTV-së.
Ai ka thënë se beson se do të ketë marrëveshje përfundimtare,
“Do të donim që Serbia ta njohë Kosovën. Unë mendoj pak më ndryshe. Dua të mos mbetet asnjë proces i pazgjidhur dhe Serbia të japë garancione të forta që nuk do ta pengojë Kosovën në ecjen përpara”, ka thënë ai.
Pacolli ka folur me siguri se “Serbia ka mbledh fond të madh që të lobojë për mosnjohjen e Kosovës”.
“Vetë kryediplomati i Serbisë udhëheq këtë ekip. Njëherë është në Burundi, më pas në shtetet tjera në Afrikë, në Amerikën Latine, Suriname e të tjera. Po harxhojnë shuma të mëdha dhe angazhim kundër njohjes së Kosovës”, ka thënë në “Interaktiv”, Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Behgjet Pacolli.
“Ai (Daçiqi v.j.) ka thënë se ka bindur Surinamen që të informojë Kosovën me një njohje të re verbale që ishte dëshmi edhe më e madhe se njohja normale. Ne nuk kemi marrë asnjëherë tërheqje nga Suriname”, ka thënë Pacolli.
“Zoti Daçiq tha edhe për Burundin. E kam incizuar krejt bisedën e Daçiqit me faktorët politikë atje duke u premtuar armatim, tankse, bursa studentëve vetëm që ta tërheqin njohjen e Kosovës. Kemi ndërmarrë çdo masë që kjo të mos ndodhë. Shpresoj që ky shtet do të na thërrasë së shpejti për lidhjen e marrëdhënieve diplomatike. Kam incizim se kam edhe miq të mi që e kanë incizuar, bisedat zyrtare larg mediave. E kam dëgjuar duke ofruar prej tankseve e më tutje”, ka thënë Pacolli, përcjell Koha.net. “E shihni se Daçiq i voton shtetet e varfra, jo ato serioze e me traditë të vjetër të demokracisë. Shkon te shtetet që kanë nevojë për mbështetje. Nuk duhet të befasohemi se do të ketë emra të rinj që do të ketë tërheqje të njohjes”, ka shtuar ai më tej.
Pacolli ka thënë se janë edhe shtete që presidenca e tyre ka dërguar një letër që e njeh shtetësinë dhe jep rekomandimin e ministrisë së Jashtme që ta zyrtarizojë njohjen, e të nisë me lidhjen e marrëdhënieve diplomatike.
“Janë Uganda dhe Nigeria”, ka thënë Pacolli, derisa ka thënë se kjo e çon në 117 vende numrin e njohjeve.
Pacolli ka treguar edhe se si Mali ka kërkuar armatim dhe kanë deklaruar se do ta tërheqin njohjen e Kosovës.
“Për këtë ka fol një gazetë kineze dhe prej aty është shpërnda, por kështu ka mbet. E di se do të ketë veprime në mes të Malit dhe Kosovës. Kemi një ambasadë afër, në Senegal. Pa Malin janë 117 shtete që e kanë njohur Kosovën”, ka thënë Pacolli.
Ai ka premtuar se do të ketë njohje të reja.
“Po punojmë shumë me intensitet të madh. Në mandatin e shkuar ishin vetëm dy njohje edhe pse Bangladeshi ishte punë e kryer më moti. Do të ketë më shumë njohje, edhe pse janë vështirësuar punët për shkak të luftës së Serbisë dhe duhet të mbrohemi ndaj sulmeve të tyre”, ka thënë Pacolli, teksa është shprehur i bindur edhe për votën pro që Kosova të vjen në rend të ditës në samitin e radhës të Interpolit./Koha.net/
E dashura i hedh aksidentalisht në kosh 682 milionë euro, Ba...
Teknologjia e dobishme e pagesave “Tap to Pay” bëhet e dispo...
Kurti mori pjesë në shfaqjen e dokumentarit “Ajo’...
Bellinhgamit i dhurohet çmimi “Lojtari më i mirë i sezonit n...
Xhemaili i AAK-së: Presidentja as edhe një fjalë për linçimi...
Përplasje e fortë mes Gresës dhe Xhenetës, shkak pranku i An...