Pacolli: Ata që pranuan Specialen, do t’i dënojë populli

12:03 | 9 Tetor 2017
arbresh.info

Sekretari organizativ i Aleancës Kosova e Re, Rrahim Pacolli, thotë se njerëzit që pranuan themelimin e Gjykatës Speciale kanë emra dhe mbiemra, dhe se të njejtit do t’i dënojë populli.

Sipas tij, nuk mund të besohet në një drejtësi tjetër ndërkombëtare.

“Ish-ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do të mbeten personazhët më të ndritshëm në historinë kombëtare,” ka shkruar Pacolli në Facebook.

Më poshtë ju sjellim të plotë postimin e tij në Facebook:

Gjykata Speciale është e padrejtë për Kosovën sepse nuk ka pas një “drejtësi” të tillë për asnjë shtet tjetër të ish-Jugosllavisë, si Serbi, Bosnje apo Kroaci.

Bashkësia ndërkombëtare ka vepruar padrejtësisht kur ka bërë presion në themelin e saj. Shihet qysh në fillim joserioziteti i saj, pasi kaluan sa vjet dhe përkundër funksionalizimit nuk kemi ende diçka konkrete. Prandaj nuk mund të besojmë në një drejtësi tjetër ndërkombëtare.

Të formohet një Gjykatë Speciale për UÇK-në është e papranueshme. Edhe liderët dhe ligjvënësit e Kosovës që e kanë pranuar këtë Gjykatë, kanë bërë gabimin më të madh. Nuk duhej të pranohej Specialja për një ushtri çlirimtare, e përkrahur nga ndërkombëtarët për çlirimin e Kosovës.

Ata njerëz që e pranuan kanë emra dhe mbiemra, dhe do t’i dënojë populli një ditë. Këta janë duke i vënë hije të zezë Kosovës, sepse UÇK-ja është e pafajshme, e pastër dhe më meritorja për lirinë që e gëzojmë sot.

Kur i bënë gropën tjetrit, me shumë gjasë do të biesh vetë pastaj.

Ish-ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do të mbeten personazhët më të ndritshëm në historinë kombëtare.

/arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme