Google ADS

Pacientët, mal ankesash për mungesën e mjekëve në punë

08:44 | 9 Korrik 2018
V. S.

 

Besim Kodra, drejtor i Programeve në Shoqatën për të Drejtat e Pacientëve, ka thënë për “Zërin” se 38% e ankesave në këtë shoqatë janë për mungesën e stafit mjekësor në vendin e punës.

L.B. kishte shkuar për kontroll ditë më parë në njërën nga klinikat në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), megjithatë ajo priste kot pasi që mjeku nuk ishte në vendin e punës.

Ajo ka treguar për gazetën “Zëri” se kishte pritur më shumë se gjysmë ore dhe pasi që nuk kishte marrë shërbimin mjekësor në Spitalin publik ishte drejtuar për në klinikë private.

“Kam shkuar diku rreth orës 10:00 për një kontroll mjekësor. E kam parë që ishin duke pritur për kontroll edhe pacientë të tjerë. Mendova që dikush ishte brenda duke u kontrolluar, por kur e hapa derën nuk kishte qenë askush prej mjekëve. I pyeta motrat medicionale, të cilat kalonin andej dhe më thanë se tani vjen mjeku. Prita ndoshta diku më shumë se gjysmë ore, por nuk erdhi askush. Nuk munda të pres më shumë, u ngrita dhe i kërkova bashkëshortit të më dërgonte te ndonjë klinikë private”, ka thënë ajo.

Megjithatë, ky nuk është rasti i vetëm kur pacientët nuk mund ta gjejnë personelin mjekësor gjatë orarit të punës në vendet e tyre duke punuar.

Këtë gjë së fundmi pacientët kanë vendosur ta tregojnë edhe përmes incizimeve.

Ditë më parë është publikuar një video e realizuar në Qendrën Emergjente në QKUK.

Në incizimin i cili thuhet se është bërë në orët e hershme të mëngjesit shihet as asnjë punëtor mjekësor nuk ishte në Klinikë./Zëri/

Të ngjashme