Familjari i një prej pacientëve të shtrirë në Klinikën e Pulmologjisë prapa kamerës i ka thënë KTV-së se familjari i tij ndonëse kishte rezultuar negativ në COVID-19 është shtrirë në një dhomë me pacientë të tjerë të prekur me këtë virus.
Ai është shprehur i shqetësuar për shëndetin e familjarit të tij pasi, sipas tij, rreziku për t’u infektuar me virus, me gjithë problemet e tjera shëndetësore në mushkri, është i pashmangshëm.
E kontaktuar për këtë çështje, drejtoresha e Klinikës së Pulmologjisë, Rukije Mehmeti, ka pohuar se ekzistojnë raste të tilla kur pacientët e kësaj klinike rezultojnë negativë në testim, por që ndryshimet radiologjike në organizmin e tyre janë identike sikurse të personave të infektuar me Covid – 19.
Për këtë Mehmeti thotë se këta pacientë mund të zgjedhin nëse do të qëndrojnë në dhomë me persona që janë të infektuar, apo të shkojnë në shtëpi, pa marrë trajtimin adekuat.
“Të gjitha rastet të cilat pranohen këtu janë hipotetikisht pozitive. Kemi edhe ankesa nga familjarët që ankohen se rastet pozitive me Covid janë të vendosura me rastet negative. Mirëpo ata duhet të mendojnë dhe të zgjedhin nëse dëshirojnë të qëndrojnë me një dhomë me pacientë pozitivë apo t’i dërgojmë në shtëpi, ku mundësia me vdekë është më e madhe, e këtu i jepet një shans që të jetojnë. Kur pacienti pranohet tek ne dhe ka ndërrime radiologjike identike si ai që është pozitiv, si ai negativ, atëherë për ne edhe ai që ka rezultuar negativ do të trajtohet sikurse ai pozitiv”, ka thënë Rukije Mehmeti, drejtoreshë në Klinikën e Pulmologjisë.
Ndërkohë në këtë klinikë aktualisht po trajtohen 77 pacientë të infektuar me Covid – 19, 68 prej të cilëve janë duke marrë oksigjenoterapi.
Kurse nga ShSKUK-ja kanë bërë të ditur se aktualisht Klinika Infektive, ajo e Pulmologjisë, Klinika Sportive dhe ajo e Mjekimit Intensiv po përdoren për t’i trajtuar pacientët e infektuar me koronavirus.
Përpos kësaj, këto ditë kapacitetet janë zgjeruar edhe në Klinikën e Neurologjisë si dhe një pjesë e repartit në Gjinekologji.
Kurse sa u përket rasteve kur pacientët negativë vendosen me një dhomë me ata pozitivë, nga ShSKUK-ja kanë deklaruar se mjekët klinikë vendosin për diagnozën e pacientëve marrë parasysh edhe rastet kur ka mbingarkesë me pacientë nëpër klinika.
“Aktualisht në QKUK po përdoren vetëm Klinika Infektive dhe Klinika e Pulmologjisë, dhe dy mjekimet intensive, ai në sportive dhe mjekimin intensiv qendror Covid. Me mbushjen e Klinikës Infektive me pacientë, ShSKUK ka vendosur të zgjerojë kapacitetet, është funksionalizuar Klinika e Pulmologjisë vetëm për pacientët Covid. Me mbushjen e kësaj klinike ka vazhduar zgjerimi edhe në Neurologji dhe një repart Covid në Gjinekologji. Mjekët klinikë kanë të drejtë të vendosin diagnozën nga vlerësimi klinik që bëjnë dhe edhe në rastet e mbingarkesës me pacientë, pacientët që kanë pasur simptoma dhe manifestime klinike janë mjekët që vendosin lidhur me spitalizim të pacientëve”, thuhet në përgjigjen e ShSKUK-së.
Ndërkohë nga IKSHPK-ja kanë paralajmëruar tashmë një valë të dytë të infeksionit me COVID–19, e cila parashihet të ndodhë në tetor të këtij viti.
Marotta: Jemi skuadra e vetme në Milano me dy yje në fanellë
Vullneti: Xheneta rrezikon të eliminohet këtë javë
Shpërthim në Prishtinë, lëndohen dy persona
Federata e Bodybuildingut zgjedhë më të mirët e vitit 2024
“Je xheloz ti?”, Sara dhe Driloni ngacmojnë njëri-tjetrin
Netanyahu në gjykatë për të dëshmuar mbi akuzat për korrupsi...