”Sistemi Evropian i Informacioneve të Udhëtimit dhe Autorizimit” (ETIAS) nuk do të thotë rikthim i vizave”, ishte mesazhi i komisionerit të BE për Çështje të Brendshme, Ditris Avramopoulos, për shtetasit e vendeve të Ballkanit Perëndimor në një deklaratë për Deutsche Wellen. Në Komisionin Evropian janë të vetëdijshëm se shtetasit e këtyre vendeve janë të interesuar shumë për masat e reja rreth futjes në zonën Shengen, sepse është paralajmëruar një dokument i ri i domosdoshëm për futjen në zonën Shengen.
Vetëm kontrolle shtesë
Në BE thonë se lëvizja e lirë dhe liberalizimi i vizave për vendet e Ballkanit Perëndimor (shtetasit e Kosovës ende nuk e gëzojnë këtë të drejtë) janë “hapa historikë”, të cilat nuk kontestohen me masat e paralajmëruara për kontrolle shtesë. ”Ballkani Perëndimor është një rajon shumë i rëndësishëm dhe partner i afërt me Bashkimin Evropian. Qëllimi ynë është që të ruajmë këtë afërsi dhe të gjitha masat kanë për synim lëvizjen më të lehtë dhe kontaktet më të shpejta mes shtetasve të vendeve të BE dhe Ballkanit Perëndimor”, thotë komisioneri Avramopulos, në deklaratën për DW.
Avramopoulos shpjegon se sistemi i ri ETIAS është propozuar para një viti si pasojë e ardhjes më masive të personave pa viza në BE. Qëllimi i këtyre masave është, siç thotë komisioneri Avramopoulos, që të forcohet sistemi evropian i administrimit të kufijve dhe migrimit – që është në të mirën e BE dhe vendeve që nuk kanë nevojë për viza.
Avramopoulos: ”ETIAS nuk do të thotë rikthim i vizave, por është një mekanizëm që duhet ta përdorin të gjitha vendet prej nga udhëtohet pa viza në hapësirën Shengen, duke përfshirë edhe Kanadanë dhe SHBA. Qytetarët që gëzojnë të drejtën e udhëtimit pa viza edhe më tej do të udhëtojnë në hapësirën Shengen, por do të kenë një leje, një dokument, para se të futen në këtë hapësirë. Në pyetje është një procedurë që në të shumtën e rasteve lehtëson lëvizjen në BE, forcon sigurinë e përbashkët dhe eviton burokracinë dhe vonesat e panevojshme me rastin e udhëtimit në BE”, pohon Avramopoulos në deklaratën e tij për DW.
Procedurat
Shtetasit e vendeve të Ballkanit Perëndimor kanë reaguar me zemërim pas paralajmërimeve për rivendosjen e masave të reja për futjen në zonën Shengen. Ata kujtojnë tani vitet e pritjeve para ambasadave, procedurat e gjata dhe pritjet e vizave, ndjenjën e të qenit qytetar i rangut të dytë. Në vitin 2009 është festuar me të madhe heqja e vizave për shtetasit e Serbisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë, ndërsa në vitin 2010 edhe për ata të Shqipërisë dhe Bosnje-Hercegovinës.
Në komentet në këto vende thuhet se po kthehen vizat, por me një emër tjetër. Nuk ndihmojnë shumë as pohimet në Bruksel se këto masa do vlejnë për shtetasit e 60 vendeve nga mbarë bota. “Po na kthejnë mbrapa, në vend që të afrohemi me BE”, thonë në Ballkan.
Alexandra Stiglmayer, nga Iniciativa Evropiane për Stabilitet (ESI) përpiqet të bindë se ”vizat janë një sistem krejt tjetër, sepse është dashur një dokumentacion shumë i madh, të dhënat për rrogat, sigurimet, biletat kthyese… ndërsa tani futesh në internet, plotëson një formular dhe nuk ke shpenzime të tjera”.
Stiglmayer: Dallim mes vizës dhe formularit
ESI është angazhuar dikur për heqjen sa më të shpejtë të vizave për vendet e Ballkanit Perëndimor. Alexandra Stiglmayer thotë tani se BE është detyruar të fusë këto masa, për shkaqe sigurie nga sulmet terroriste por edhe për shkak të valës së fundit të refugjatëve. Me forcimin e masave në kufijtë e jashtëm forcohet edhe siguria e brendshme në BE dhe liria e lëvizjes në zonën Shengen, pohon Alexandra Stiglmayer.
“Udhëtarët duhet të plotësojnë formularin në internet, ku duhet të shënojnë të dhënat personale, kontaktet, vendin ku udhëtojnë, të dhënat për sëmundjet, të dhënat për ndjekjen penale, të dhënat nëse janë refuzuar në ndonjë vend apo janë dëbuar…. Të gjitha kryhen në internet, pa pagesën e ndonjë takse shtesë. Ndërsa përgjigja duhet të kthehet më së largu pas 72 orësh”, shpjegon Alexandra Stiglmayer.
Rregullat të njëjta për të gjithë
Komisioni Evropian në nëtor të vitit 2016 ka hartuar një guidë të saktë për udhëtime. KE pohon se për plotësimin e këtij formulari duhen vetëm 10 minuta kohë, ndërsa taksat paguhen në mënyrë elektronike. KE propozoi që të paguhen 5 Euro për një kërkesë, ndërsa viza të vlejë pesë vite (apo deri në skadimin e pasaportës aktuale) dhe që personi të futet në zonën Shengen pa kufizime.
Këshilli për Të Drejtat e Qytetarë në Parlamentin Evropian (LIBE) ka vendosur që në emër të taksave të paguhen 10 Euro dhe që kërkesa të vlejë 3 vite. ”LIBE ka propozuar rritjen e taksave dhe shkurtimin e kohëzgjatjes, por kjo mund të ndryshojë, pasi që vendimi duhet të miratohet në PE. Ndërkohë që fjalën përfundimtare e kanë vendet anëtare”, shpjegon Alexandra Stiglmayer.
Nga taksat janë të liruar personat më të rinj se 18 vjeç dhe më të moshuar se 60 vjeç, sikur edhe studentët, shkencëtarët dhe anëtarët e familjeve me nënshtetësi të ndonjë vendi të BE-së. Në BE thonë se në rast se dikush nuk ka qasje në internet, kërkesën mund ta plotësojë edhe ndonjë person i tretë. Në BE presin që rreth 95% e kërkesave të lejohen automatikisht, pra brenda 72 orësh, leja duhet të kthehet në adresën e personit që ka kërkuar. Në rastet më të komplikuara, kërkesa duhet të përpunohet me dorë dhe përgjigja mund të vonohet deri dy javë. Personat që marrin përgjigje negative, kanë të drejtë ankese.
KE por edhe Alexandra Stiglmayer pohojnë se ky sistem nuk ka të bëjë vetëm me vendet e Ballkanit Perëndimor. “Ka 60 vende të ndryshme që gëzojnë lëvizjen e lirë pa viza në BE. Kjo masë përfshin të gjitha këto vende. BE nuk do të ndryshojë vendimin për këto masa vetëm për shkak të ankesave të vendeve të Ballkanit Perëndimor”, pohon Alexandra Stiglmayer, në bisedë me DW.
E dashura i hedh aksidentalisht në kosh 682 milionë euro, Ba...
Teknologjia e dobishme e pagesave “Tap to Pay” bëhet e dispo...
Kurti mori pjesë në shfaqjen e dokumentarit “Ajo’...
Bellinhgamit i dhurohet çmimi “Lojtari më i mirë i sezonit n...
Xhemaili i AAK-së: Presidentja as edhe një fjalë për linçimi...
Përplasje e fortë mes Gresës dhe Xhenetës, shkak pranku i An...