Kompensimi i dëmeve të luftës, të pagjeturit, hisja në pasurinë e ish-Jugosllavisë dhe tema të tjera, nuk do të diskutohen në dialogun që Kosova po e zhvillon me Serbinë në Bruksel, derisa të implementohen të gjitha marrëveshjet e arritura.
Kështu ka deklaruar në një prononcim për Ekonomia Online, shefi i negociatave me Serbinë nga Qeveria e Kosovës, Avni Arifi.
Sipas tij, Qeveria Haradinaj kur ka ardhur në pushtet ka gjetur këto marrëveshje dhe është e interesuar që mënyra aktuale e dialogimit të marrë epilog.
“Ne konsiderojmë se duhet të implementohen marrëveshjet ekzistuese, ne nuk po synojmë hapjen e temave të reja. Ky proces që unë e kam gjetur duhet të përfundojë, duhet t’i përfundojmë këto marrëveshje dhe pastaj faktorët politikë të Kosovës, partitë parlamentare, Qeveria, duhet të mendojnë, të qartësojnë çfarë procesi të ri duhet të fillojnë për implementimin e marrëveshjeve që duhet të pasojnë”.
Arifi vlerëson se temat e lartpërmendura janë me interes për Kosovën dhe se duhet diskutohen me palën serbe, por në një proces të ardhshëm.
Ai thotë se sa i përket marrëveshjes për njohje reciproke, në asnjë mënyrë nuk nënkupton që nuk do të bisedohet edhe për dëmet e luftës, për të zhdukurit, për hapësirën ajrore dhe për shumë tema tjera. Do të diskutohet ku Kosova gjithsesi që do të kërkojë implementimin e interesave përpara qytetarëve të saj dhe obligimet që ka ndaj tyre.
“Ne po përpiqemi të implemetojmë marrëveshjet e arritura në vitin 2011. Një proces në të cilin ti përpiqesh të implementosh marrëveshjet pas 7 vitesh, nënkupton vetvetiu se si proces nuk është i duhur. Është i domosdoshëm dialogu dhe nuk synojmë ikjen nga ai, mirëpo ne synojmë që këtë proces, këtë metodologji në mënyrë që marrëveshjet dhe implementimi i tyre të jetë sa më i shpejtë”.
Deri tash, Prishtina dhe Beogradi kanë kanë mbajtur disa takime, por nga to nuk ka pasur shumë rezultate.
Arifi deklaroi se pala serbe refuzon implementimin e disa marrëveshjeve që janë shumë të rëndësishme për Kosovën, si ajo për energjinë, menaxhimin e integruar të kufijve, njohjen reciproke të diplomave, kthimin e kadastrit, hapjen e urës së Mitrovicës.
“Këto janë marrëveshjet të cilat Serbia refuzon që t’i implementojë ose ka ngecje serioze në implementimin e tyre, duke iu shtuar edhe përkeqësimi i implementimit të marrëveshjes për lirinë e lëvizjes dhe raportet ndërfqinjësore të mira, ku shumë qytetarë të Kosovës dhe organizata maltretohen, u refuzohet pjesëmarrja në aktivitete të ndryshme, ndalen qytetarët e Kosovës për disa orë në verifikim apo biseda informative. Këto janë aspekte që po ngulfatin raportet dhe procesin e normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë Arifi për EO.
Qeveria e Kosovës, sipas Arifit, që nga marsi është duke kërkuar vazhdimisht të organizohen takime me Beogradin, në mënyrë që të vazhdohet dialogu. Ai thotë i kanë dërguar BE-së tri kërkesa me shkrim dhe sipas tij, ka pasur edhe kërkesa verbale nëpër takime bilaterale, por Brukseli nuk ka kthyer përgjigje.
Megjithatë, Arifi vlerëson se BE-ja është e interesuar dhe përpiqet që të organizojë takime të tilla, por pala serbe nuk është duke i implementuar dhe ajo nuk ka pranuar që të marrë pjesë në këto takime. Arifi pret që BE-ja, si garantuese e këtyre marrëveshjeve, t’i bëjë presion më të madh Serbisë për implementimin e plotë të marrëveshjeve.
Arifi ka thënë për EO se në këtë proces duhet të ketë gjithpërfshirje sa më të madhe të të gjitha partive parlamentare dhe këto të fundit, sipas tij, do të ishte mirë që procesin e përfundimit të bisedimeve me Serbinë mos ta shohin si proces të politikave ditore me qëllim të fitimit të votave.
Sipas tij, përpjekjet dhe diskutimet për arritjen e konsensusit të plotë vazhdojnë.
Dabiqaj “Ylli i Javës” në Superligën e Kosovës
Policia arreston tre persona të kërkuar me urdhëresë të Gjyk...
Gjyqtarët kosovarë delegohen për ndeshjen e UEFA Youth Leagu...
Kurti mirëpriti arkitektin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovë...
Tërmet në Japoni, sa ishte magnituda
Kombëtarja e Kosovës nis përgatitjet për miqësoret ndaj Esto...