Rasti i dhunimit të 11 vjeçares nga Prishtina ngjalli reagime të ashpra dhe tronditi jo vetëm Kosovën.
U organizuan protesta në Prishtinë, Tiranë e Shkup dhe në pranga të Policisë së Kosovës përfunduan 12 të dyshuar për pjesëmarrje në dhunimin e të miturës.
Mirëpo, rastet e tentim dhunimeve dhe dhunimeve të të miturave, por edhe të grave në Kosovë kohëve të fundit janë bërë alarmante, shkruan arbresh.info.
Sociologët ngacmimet dhe sulmet seksuale ndaj të miturve dhe grave i shohin si vuajtje nga mungesa e edukimit dhe kulturës në shoqërinë kosovare.
Konushevci: Ngacmimet dhe dhuna seksuale ndodhin në çdo shoqëri që vuan nga frustrimi seksual
Konushevci thotë se dhuna si fenomen në shoqërinë kosovare është alarmante, dhe vjen si rezultat i shumë faktorëve.
Madje, Sociologu Labinot Konushevci thotë se ngacmimet dhe sulmet seksual janë pasojë e frustrimit seksual nga mungesa e perspektivës dhe integrimit, nga mungesa e edukimit dhe kulturës publike.
“Dhuna si fenomen në shoqërinë tonë është alarmant për institucionet, shoqërinë dhe familjen shqiptare, të cilat po pësojnë kriza të ndryshme si rezultat i shumë faktorëve. Ngacmimet dhe dhuna seksuale ndodhin në çdo shoqëri që vuan nga frustrimi seksual, nga mungesa e perspektivës dhe integrimit, nga mungesa e edukimit dhe kulturës publike, nga mungesa e kontrollit dhe ndëshkimeve, nga ndikimi medial dhe kriza në familje”, shprehet Konushevci për arbresh.info.
Shahini: Pedofilizmi, sëmundje vështirë e shëruar
Psikologët pohojnë se pedofilia është një sëmundje vështirë e shërueshme.
Psikologia Mimoza Shahini për arbresh.info thotë se 25 deri në 50 për qind e pedofilëve janë recidivist, apo përsëritës të veprës.
Shahini thotë se çrregullimi pedofilik është një diagnozë e caktuar për të rriturit (përcaktuar si mosha 18 vjeç e lart) që kanë dëshirë seksuale për fëmijë para pubertetit.
“Çrregullimi pedofilik është një diagnozë e caktuar për të rriturit që kanë dëshirë seksuale për fëmijë para pubertetit, Ky përcaktim është në librat diagnostikues për problemet e shëndetit mendor. Çrregullimi Pedofilik është një vepër penale në Shtetet e Bashkuara, Kanada dhe Evropë, si dhe në shumicën e vendeve të tjera në botë”, u shpreh ajo për arbresh.info.
Psikologia Shahini thotë se çrregullimi pedofilik është shumë rezistent ndaj trajtimit dhe shkalla e recidivizmit është vlerësuar të jetë 25% -50%.
Ajo pohon se pasoj e kësaj, institucionet duhet të specializohen për të ndihmuar individët të cilët e kanë këtë problem.
“Çrregullimi pedofilik është shumë rezistent ndaj trajtimit dhe shkalla e recidivizmit është vlerësuar të jetë 25% -50%, kjo është dhe arsyeja pse institucionet duhet të specializohen për të ndihmuar individët të cilët e kanë këtë problem, dhe njëkohësisht të rehabilitohen. Vlen të theksohet së individët me këtë diagnozë nuk mund ti shmangen drejtësisë”, shprehet Shahini.
Të vepruarit sipas dëshirave pedofilike është një krim dhe kontakti seksual i të rriturve dhe fëmijëve është gjithmonë i gabuar, shton psikologia.
Policia e Kosovës: Për shtatë muaj në Kosovë janë raportuar 41 raste të dhunimeve
Të dhënat e Policisë së Kosovës tregojnë se rastet e dhunimit këtë vit krahasuar me vitin 2021 janë më të ulëta.
Sipas këtyre të dhënave, gjatë vitit 2021 në periudhën janar- korrik në Kosovë ishin raportuar 59 raste të dhunimit, ndërsa në periudhën e njëjtë të këtij viti (2022) janë raportuar 41 raste të tilla.
Gjatë gjithë vitit të kaluar në Policinë e Kosovës janë raportuar 102 raste të dhunimit.
Policia e Kosovës për arbresh.info bënë të ditur se është duke i trajtuar me seriozitet të lartë rastet e dhunës seksuale.
“Policia e Kosovës trajton me seriozitet të lartë të gjitha rastet duke përfshirë edhe rastet e dhunës seksuale. Ndër vite policia ka realizuar edhe fushata vetëdijesuese me qëllim të inkurajimit të viktimave për të raportuar të gjitha rastet veçanërisht rastet e ndjeshme si dhuna seksuale, dhuna në familje etj, e që përveç punëve operacionale gjithashtu objektiv i policisë ka qenë parandalimi dhe reduktimi i rasteve të tilla”, thuhet më tej në përgjigjen e Policisë.
Ndryshe, më 27 gusht të këtij viti u raportua se një 11 vjeçare ishte dhunua nga pesë persona në parkun e qytetit në lagjen “Arbëria” në Prishtinë. Në mesin të dyshuarve për dhunimin e saj ishte edhe një 26 vjeçar.
I njëjti rast thuhet të ketë ndodhur edhe në muajin qershor, ku një grup tjetër prej shtatë personash kishin dhunuar po të njëjtën të mitur.
12 të dyshuarit janë prangosur dhe ndaj tyre është caktuar masa e paraburgimit nga Gjykata Themelore në Prishtinë. /arbresh.info/ Kujtesë Berisha/
Putini i thotë Azerbajxhanit se mbrojtja ajrore ruse ishte e...
Hajrullahu: Pa digjitalizim, UP-ja nuk mund të ecë përpara
Kryetarit të Strugës i konfiskohet pasaporta
Florentino Perez ia refuzon kërkesën Kylian Mbappes për ta t...
Aktorët e Teatrit Kombëtar që 40 ditë në grevë
Osmani hap dyert e Presidencës për fëmijët, i quan udhëheqës...