Normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën dhe harmonizimi me politikën e jashtme të BE-së mbeten sfidat kryesore për Serbinë në rrugën evropiane, deklaroi Emanuele Giaufret, shefi i Delegacionit të BE-së në Serbi, gjatë prezantimit të Raportit të Progresit të Komisionit Evropian.
Ai shtoi se përparimi do të varet nga suksesi në normalizimin e marrëdhënieve Serbi-Kosovë.
“Edhe pse është një pyetje e vështirë, dialogu është i rëndësishëm. Zbatimi i marrëveshjes për rrugën e normalizimit, si dhe i marrëveshjeve të tjera, është shumë i rëndësishëm sepse janë pjesë e rrugës evropiane të Serbisë. Presim që përgjegjësit për dhunën në veri të Kosovës të sillen para drejtësisë”, tha Giaufret, duke shtuar se Serbia duhet të harmonizohet me politikën e jashtme të BE-së, gjë që do të monitorohet gjatë negociatave.
Kryeministri Millosh Vuçeviq e përshkroi Kosovën si çështjen më delikate, duke pranuar se para Serbisë është detyra e harmonizimit me politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së. Në anën tjetër, opozita pro-evropiane e vlerësoi raportin si konfirmim të stagnimit.
Sipas opozitës, raporti ka treguar humbjen për idenë evropiane në Serbi, e cila po afrohet me vende autokratike si Rusia dhe Kina.
“Nuk ka progres në fushat kyçe si shteti ligjor, demokracia, kushtet elektorale nuk u përmirësuan. Theksimi i elementeve kyçe për afrimin me BE-në, si normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe harmonizimi me politikën e jashtme të BE-së, flet për situatën gjeopolitike. Megjithatë, është e rëndësishme që çfarë lloj vendi jemi ne të jetë sërish në plan të parë”, tha Bilana Gjorgjeviq nga Fronti i Gjelbër-Majtas.
Ekspertët theksojnë se Kosova dhe qëndrimi ndaj Rusisë janë vendimtare për rrugën evropiane të Serbisë.
“Marrëveshja e Ohrit është ligjërisht e detyrueshme, edhe pse nuk është nënshkruar zyrtarisht. Komisioni Evropian do të masë progresin duke vlerësuar se secila palë zbaton detyrimet e marrëveshjeve të mëparshme. Gjithashtu, qëndrimi i Serbisë ndaj Rusisë dhe mosrespektimi i sanksioneve të BE-së ndikojnë drejtpërdrejt në shpejtësinë e anëtarësimit”, tha Millosh Pavkoviq nga Qendra për Politika Evropiane.
Organizatat e shoqërisë civile theksuan se Serbia nuk ka shënuar përparim në rrugën drejt BE-së dhe kërkuan nga qeveria t’i sqarojë qytetarët nëse mbetet e përkushtuar ndaj anëtarësimit në BE./rtk
Stërvitja e përbashkët mes PK-së, EULEX-it dhe KFOR-it, Bard...
Gjyqtarët kosovarë ndajnë drejtësi në ndeshjen e Conference ...
Agjencioni Anti-Korrupsion do të hetojë grantet për vëllain ...
Fjalim prekës nga gjyshit i 14-vjeçarit të vrarë: S’dua t’i ...
Klinika e Urologjisë në QKUK rikthen shërbimin ESWL për traj...
80-vjetori i Bibliotekës Kombëtare, Kurti: Në këto mure jeto...