Forcimi i institucioneve brenda, dhe forcimi i shtetësisë së Kosovës jashtë, janë disa prej prioriteteve në të cilat duhet të fokusohet Kosova më 2025, porosit Engjellushe Morina, hulumtuese e lartë për politika në Këshillin Evropian për Marrëdhënie me Jashtë, me bazë në Berlin.
Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ajo reflekton mbi zhvillimet kryesore të vitit që lamë pas, për atë që e konsideron qasje të padrejtë të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, për fatkeqësinë e, siç thotë ajo, politizimit të procesit të anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, dhe për nevojën që Kosova të koordinohet me partnerët, si dhe të shohë më larg në vendimet që merr.
Edhe me udhëheqjet e reja në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Bashkimin Evropian, ajo nuk parasheh ndryshim rrënjësor në procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.
Zonja Morina, a mund të na tregoni se si e keni parë ju vitin 2024 për Kosovën?
Engjellushe Morina: Viti 2024 për Kosovën nuk është se ka qenë edhe pa turbulenca, sepse marrëdhëniet me Bashkimin Evropian, si dhe çështjet e sigurisë, nuk është se kanë qenë të relaksuara sa duhet. Nuk ka pasur zgjidhje përfundimtare për disa çështje me të cilat Kosova ballafaqohet edhe sot.
Ju e përmendët Bashkimin Evropian, por gjatë vitit 2024, Kosova ka vazhduar të përballet me masat ndëshkuese të bllokut evropian. A ka qenë Perëndimi i drejtë ndaj Kosovës në këtë aspekt?
Engjellushe Morina: Masat nuk kanë qenë të drejta në asnjë moment. Edhe disa shtete të Bashkimit Evropian këtë e konfirmojnë nëpër deklarime të ndryshme. Tash duket se ka konsensus që masat të hiqen, nëse jo përnjëherë, atëherë gradualisht. Në këtë pikëvështrim, shumë analistë e kanë pasur përshtypjen që masat do të duhej të shkonin në tjetër drejtim, në këtë rast në drejtim të Serbisë, e cila ka qenë agresore në disa prej ndodhive që i kemi parë në veri të Kosovës, por për habinë e shumicës prej nesh, masat iu vendosën Kosovës. Masat kanë qenë një lloj ndëshkimi që Kosova të sillet ndryshe në relacion me veriun, dhe në relacion me dialogun me Serbinë. Nuk kanë qenë mjeti më i mençur për të ndëshkuar një vend që veçse është në pozitë të dobët në relacion me Bashkimin Evropian dhe dialogun me Serbinë.
A mund të bëjë diçka Kosova që të bindë BE-në për të ndryshuar qasjen karshi saj?
Engjellushe Morina: Kosova, në fakt, edhe para shpalljes së pavarësisë, e ka pasur shumë të qartë integrimin e saj në institucionet euro-atlantike. Deri më sot, nuk shoh që Kosova ka pasur shkelje serioze në rrugëtimin drejt BE-së dhe NATO-s. Ngadalësimi i këtij procesi vjen prej BE-së, duke nisur nga mosnjohja e pavarësisë së Kosovës nga pesë shtete anëtare të bllokut evropian, më pas nga qasja e BE-së, që e trajton statusin e Kosovës si neutral. Njëjtë edhe me NATO-n. Nuk shoh që Kosova nuk ka qenë e qartë për anëtarësimin në këto organizata.
E përmendët më parë veriun. Qeveria e Kosovës ka thënë përgjatë vitit 2024 se e ka shtrirë autoritetin në veriun e vendit përmes vendimeve të ndryshme, siç është pamundësimi i përdorimit të dinarit serb për pagesa me para të gatshme, mbyllja e disa institucioneve paralele serbe, por edhe është kritikuar nga Perëndimi për, siç është thënë, moskoordinim.
Engjellishe Morina: Do ta bëj këtu një paralele, ndonëse për disa mund të mos jetë aq me vend. Në rastin e Moldavisë, ky vend i ka disa probleme të brendshme me disa zona që nuk iu nënshtrohen ligjeve dhe institucioneve qendrore të Moldavisë, mirëpo Moldavia vitin e fundit, dhe pas nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë, i ka marrë disa masa të njëanshme, dhe jo aq të koordinuara me aleatët. Ka pasur deklarata të BE-së që nuk duhet të bëhet integrim me forcë i këtyre rajoneve – po flasim sidomos për Transnistrinë – mirëpo Moldavia nuk është vënë nën masa ndëshkuese për shkak të këtyre vendimeve që i ka marrë. Në rastin e Kosovës, qëndrimet dhe trajtimi ndaj saj është krejt ndryshe.
Shtetësia e Kosovës njihet nga të gjitha vendet e QUINT-it [Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, Gjermania, Italia, Franca] dhe nga 22 vende të BE-së, por nëse Kosova sillet sikurse në kohën e fundit, sidomos në veriun e Kosovës, atëherë Kosova përfundon në masa ndëshkuese nga BE-ja, dhe aplikimi i saj për anëtarësim nuk është trajtuar fare për dy vjet.
Atëherë pse e kemi këtë trajtim të dyfishtë, kur në fakt blloku evropian do të duhej të kishte një strategji që i integron sa më shumë këto shtete, pa standard të dyfishtë, por që do të kishte qëllim sigurimin e Ballkanit Perëndimor, shtetet e lindjes së Evropës, por edhe vetë BE-në.
Megjithatë, besoj që Qeveria e Kosovës, në të ardhmen – sidomos kur është fjala për veriun – duhet të konsultohet, por edhe ta ketë parasysh që masat që merr të kenë një kohë paralajmërimi, nëse e marrim shembull dinarin. Ka pasur situata kur qytetarët e thjeshtë të veriut nuk kanë pasur zgjidhje tjetër, pasi ky vendim është vënë në funksion. Këtu ka qenë shumica e gabimeve, nuk është menduar thellë se çfarë pas hyrjes në fuqi të një vendimi.
“AI jashtë kontrollit”, kritika për Apple për shpërndarjen e...
Takime romantike, si të dalloni nëse dikush ju pëlqen me të ...
SHBA vendos sanksione kundër kreut të kabinetit të kryeminis...
Isak në top formë, shënon gol në ndeshjen e pestë radhazi
Dy të vrarë nga të shtënat në një fabrikë në Gjermani, autor...
Gjykatësja bllokon përkohësisht publikimin e raportit të Pro...