Google ADS

OVL-UÇK bën thirrje për protestë kundër bastisjeve dhe konfiskimeve nga ZPS

12:17 | 14 Shtator 2023
K.B

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL të UÇK-së, Faton Klinaku ka ftuar qytetarët e Kosovës për protestë kundër Zyrës së Prokurorit të Specializuar në Hagë dhe EULEX-it.

Klinaku njofton se protesta do të mbahet nesër duke filluar nga ora 12:00, tek selia e tyre në Fushë Kosovë, shkruan Arbresh.info

Shkrimi i tij i plotë:

Jeni dëshmitarë që Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë dhe EULEX-i janë, duke i shqetësuar familjet e bashkëluftëtarëve tanë dhe familjet e dëshmorëve, duke dërguar pa paralajmërim njerëz të panjohur e me kapela në kokë, për gjoja intervistime e duke ua konfiskuar edhe telefonat e tyre personal.

Kjo gjë kështu, siç po bëjnë këta të panjohur për ne, po bëhet në shtetin tonë sikur dikur në kohën e pushtuesit, dhe institucionet tona vetëm po heshtin.

Prandaj, duke pasur parasysh këtë, ne thërrasim protestë kundër ZPS-së dhe EULEX-it, te selia e tyre në Fushë Kosovë, nesër me datë 15 shtator 2023, ora 12:00.
Ju ftojmë që të merrni pjesë në protestë.

Zyrtarët e EULEX-it me urdhër të Prokurorisë së Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, kanë konfiskuar telefonin Arben Mustafës, vëllait të Salih Mustafës – Calit.

Lajmin për Arbresh.info e ka konfirmuar avokati i Mustafës, Betim Shala, i cili njoftoi se rasti ka ndodhur gjatë mesditës së djeshme rreth orës 16:00.

“Po është e vërtetë. Ka ndodhur dje rreth orës 16:00. Telefonin e ka konfiskuar policia e EULEX-it. Kjo është bërë me vendim të gjyqtarit të Gjykatës së Dhomave të Specializuara në Hagë”.

Sipas Shalës, për këtë aksion ekziston dyshimi për kryerjen e veprës penale ‘pengim i drejtësisë’.

“Ekziston dyshimi i kryerjes së veprës penale ‘pengim i drejtësisë’. Për momentin vetëm ky hap procedural është marrë, pra konfiskimi i telefonit”, tha Shala./Arbresh.info/

Të ngjashme