OVL e UÇK-së: Haradinaj ka filluar zgjidhjen e problemeve të veteranëve

20:47 | 6 Tetor 2017
Arbresh.info

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së në Pejë, ka reaguar ndaj deklaratës së LDK-së, e cila sot ka thënë AAK dhe PDK po bëjnë presion veteranëve të luftës. Veteranët kanë reaguar ashpër ndaj deklaratës së LDK-së në Pejë dhe konsiderojnë se me këtë po tentohet të manipulohen faktet dhe të njolloset autoriteti i OVL të UÇK-së në Pejë.

Reagimi i OVL të UÇK-së në Pejë:

Reagojmë ashpër ndaj një deklarate të LDK-së Dega në Pejë dhe konsiderojmë se po tentohet të manipulohen faktet dhe të njolloset autoriteti i OVL të UÇK-së në Pejë.
Sa i përket çertifikatave të Veteranëve, të cilat janë shpërndarë këto ditë në Komunën e Pejës, realiteti është me sa vijon:
1.Luftëtarët e UÇK-së, kanë pritur 1 vit e gjysmë që të shqyrtohen ankesat e tyre rreth statusit, por Qeveria e Isa Mustafës, nuk ka pasur vullnet që të merret me zgjidhjen e kësaj problematike. Njëkohësisht shumicën e kohës, e ka mbajtur mbyllur zyren e cila lëshon vërtetimet, duke i dhënë mandat të kohë pas kohshëm, e duke krijuar radhë të gjata para qeverisë, në mënyrë që të shkel dinjitetin e veteranëve të luftës. Po e njëjta qeveri, përkatësisht Ministria që udhëhiqej nga pinjolli i z.Mustafa, z.Arban Abrashi, nuk e formoi Komisionin Mjekësor, duke i lënë Invalidët të presin mbi dy vite për të gëzuar të drejtat e tyre. Këtu shtojmë dhe problemin e protezave për invalidët, ku e dhanë vetëm një të katërtën e kërkesës së SHIL të UÇK-së.
Fatmirësisht, Qeveria Haradinaj, ka filluar zgjidhjen e problemeve të veteranëve dhe invalidëve, pikërisht me fillimin e punës së saj. Kjo me siguri po i pengon LDK-së në Pejë dhe udhëheqësve aktual të komunës, të cilët si duket kanë interesim që të shtyhet në pafundësi zgjidhja e problemeve të veteranëve.
2.Është përmendur se janë shpërndarë 700 çertifikata në Lug të Baranit dhe Leshanit. Kjo është gënjeshtër e kulluar, pasi që në Lug të Leshanit janë ndarë 4 çertifikata, e në Lug të Baranit afërsisht 90 tilla, për veteranët që ishin ankuar për statusin e tyre.
3.Apelojmë tek të gjithë veteranët, që nëse kanë ndonjë presion për të votuar ndonjë parti të caktuar politike, të iu drejtohen organeve të rendit dhe zyres së OVL të UÇK-së në Pejë.
Në fund, shfrytëzojmë rastin që të urojmë të gjithë veteranët që janë paisur me çertifikatat e statusit. OVL të UÇK-së në Pejë, do të përkrah secilën qeveri që gjen zgjidhje për problemet e veteranëve, pavarësisht se cila parti udhëheq me qeverinë.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme