Kryetarja e Kuvendit të Kosovës,Vjosa Osmani, sot vizitoi Ministrinë e Mbrojtjes, ku u prit nga ministri i Mbrojtjes, Anton Quni, si dhe komandanti i FSK-së, gjeneral Rrahman Rama.
Në takimin me ministrin Quni dhe gjeneral Ramën, Osmani shprehu mirënjohjen e saj dhe të Kuvendit të Kosovës për përkushtimin profesional dhe atdhetar të ushtarëve të FSK-së, për strukturën udhëheqëse të kësaj force, por edhe për angazhimin e pakursyer personal të ministrit Quni për zhvillimin e mëtejmë të kapaciteteve të FSK-së dhe ofrimin e sigurisë për qytetarët e vendit. Ajo i falënderoi ata edhe për angazhimin e tyre për ofrimin e ndihmës për menaxhimin e pandemisë Covid-19.
“Ne e çmojmë lart përkushtimin tuaj për të punuar ngushtë me strukturat e sigurisë, përfshirë KFOR-in, për ofrimin e sigurisë së vendit, por edhe për garantimin e një ambienti të qetë, në të cilin qytetarët e vendit do të ndihen të sigurt”, tha Osmani.
Ajo e vlerësoi evoluimin e shpejtë të FSK-së dhe e siguroi ministrin Quni dhe komandantin Rama se institucioni të cilin ajo e udhëheq do të punojë ngushtë me ta për krijimin e infrastrukturës së nevojshme për operim të FSK-së, përfshirë hartimin e legjislacionit të nevojshëm.
Ministri Quni, në anën tjetër, falënderoi kryetaren Osmani për vizitën dhe për kujdesin e vazhdueshëm të saj në ngritjen e kapaciteteve të FSK-së. Ai e njoftoi kryetaren Osmani për hapat shumë të rëndësishëm që Ministria e Mbrojtjes, e udhëhequr prej tij, i ka ndërmarrë për ngritjen profesionale të FSK-së, por edhe për thellimin e vazhdueshëm të bashkëpunimit me partnerët strategjikë për përforcimin e mëtejmë të sigurisë në vend.
Bashkë me ministrin Quni, kryetarja Osmani vizitoi Shtabin e Përgjithshëm të FSK-së, në të cilin komandanti i kësaj force, gjeneral Rama dhe struktura udhëheqëse e saj e informuan atë për procesin e transformimit të FSK-së dhe aktivitetet kryesore të kësaj force.
Në fund, znj. Osmani vizitoi edhe Klubin e Oficerëve të kësaj force, në të cilin pati mundësinë të shkëmbejë ide dhe përvoja me shumë oficerë të FSK-së./arbresh.info
Barella: Sot kundër një skuadre shumë të fortë dëshmuam se m...
Kurti: Të përkushtuar për të vërtetën dhe për drejtësi për t...
Shpërthimet në Liban, reagon kryeministri izraelit Netanyahu
Raportohet për një lëvizje të mundshme të Zhegrovës në të ar...
Biden pret të hënën homologun e Emirateve të Bashkuara Arabe...
Finlanda e mbron vendimin për të blerë armë izraelite