Osmani: Unë dhe bashkëshorti im s’kemi asnjë njohuri e lidhje me rrethanat që shpien në vrasjen në Ferizaj

15:37 | 17 Gusht 2024
E.K

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se nuk ka asnjë njohuri e asnjë lidhje me rrethanat që shpien në vrasjen e mbrëmshme në Ferizaj.

Osmani ka theksuar se as ajo dhe as bashkëshorti i saj nuk kanë pasur njohuri për ngjarjen tragjike që ndodhi mbrëmë dhe për rrethanat që shpien në vrasjen e një personi në Ferizaj. Ajo ka kërkuar që rrethanat që kanë nxitur përhapjen e këtyre dezinformatave të hetohen urgjentisht nga institucionet e sigurisë dhe drejtësisë.

Reagimi i plotë:

Pasi i kam njoftuar institucionet e sigurisë dhe jam në përgatitje e sipër të të gjitha mjeteve ligjore, po e bëj publik edhe këtë reagim ndaj publikimit të propagandës së paprecedentë që ka filluar Berat Buzhala dhe media e tij, gazeta online “Nacionale”, e që po vazhdon edhe nga disa portale të tjera.

I njoftoj qytetarët e Kosovës se asnjë njohuri e asnjë lidhje me rrethanat që shpien në vrasjen e mbrëmshme nuk kam as unë e as bashkëshorti im, e aq më pak njohuri për ndonjë rast dhunimi.

Rrethanat që e kanë shtyrë Buzhalën dhe të tjerët në përhapjen e këtyre dezinformatave, kërkoj që urgjentisht të hetohen nga institucionet e sigurisë dhe ato të drejtësisë. Buzhala me “Nacionalen”, dhe disa të tjerë, duke më implikuar mua dhe bashkëshortin tim në situata me të cilat nuk kemi asnjë lidhje të vetme, kanë qëllim të qartë të nxitjes së urrejtjes, e cila pastaj rezulton në dhunë.

Kjo lidhje e rrejshme dhe e rrezikshme e krijuar nga këto portale, me vetëdije të plotë dhe me qëllim të rrezikimit të jetës sime dhe të familjes sime, ndërkohë që autoritetet kompetente po e hetojnë rastin, tregon tendencën e drejtpërdrejtë të tyre për rrezikim te jetës, duke na implikuar rrejshëm madje edhe në gjoja ndërhyrje në drejtësi.

Ftoj sërish të gjitha organet e sigurisë dhe ato të drejtësisë që t’i hetojnë me prioritet të gjitha rrethanat e kësaj ngjarjeje e njëkohësisht edhe veprimet e këtij portali dhe portaleve të ngjashme që kanë qëllim të qartë për të rrezikuar jetën dhe nxitur urrejtje, e që këtë mision po shihet se e kanë edhe portalet e Serbisë./Arbresh.info

LEXO EDHE:

Ekskluzive: Personi i vrarë në dasmën në Ferizaj është xhaxhai i bashkëshortit të Presidentes Osmani

Ekskluzive: Personi i vrarë në dasmën në Ferizaj është xhaxhai i bashkëshortit të Presidentes Osmani

Arrestohet i dyshuari i dytë për vrasjen në Ferizaj

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme