Osmani u drejtohet ushtarëve të FSK-së: Ju shprehët gatishmërinë tuaj për çdo sekondë gjatë pandemisë

12:25 | 30 Dhjetor 2020
Arbresh.info

Ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani ka mbajtur konferencën e fundvitit para ushtarëve të FSK në Kazermën “Adem Jashari”.

Ajo falënderoi ushtarët për punën e bërë gjatë pandemisë dhe gatishmërinë që ata shprehën në çdo sekondë, raporton arbresh.info.

Ndër të tjera ajo ka shprehur edhe mirënjohje për të gjitha të arriturat në këtë vit të shenjtë.

“Shpreh mirënjohjen e thellë për të gjitha të arriturat në këtë vit të shenjtë. Sfida që solli pandemia ishte problem për operacionet e juaja por ju nuk u ndalet. Patet vështirësi por edhe humbje jetësh. Gatishmërinë tuaj për ti shërbyer vendit e keni dëshmuar me gatishmëri të lartë. Ju u bëtë sinonim i profesionalizmit për ndihmën ndaj tërmetit në Shqipëri”, ka thënë në fjalimin e saj ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani.

Osmani u shpreh krenare për punën e FSK-së, gjatë tërë kësaj kohe.

“FSK është përgatitur mjaft mirë për misionet për ruajtjen e paqes. FSK vazhdon të ketë besueshmëri të lartë tek qytetarët, po ashtu jam krenare që gjatë pandemisë keni mbështetur institucionet në bazë të kërkesave. Ushtria e Kosovës me hapa të sigurtë po shndërrohet në Ushtri moderne”, tha Osmani.

Ajo nuk la pa përmendur as Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, dhe Adem Jasharit dhe familjes Jashari e ata që dhanë jetën për liri.

“Kujtojmë me krenari rolin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe Adem Jasharit dhe familjes Jashari. Shpreh mirënjohje të veçantë për të gjithë ushtarët tanë e veçanërisht për dëshmorët që dhanë jetën për lirinë që e gëzojmë sot”, shtoi Osmani./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme