Google ADS

Osmani: Thaçi po e turpëron institucionin e presidentit të vendit

10:55 | 25 Tetor 2017
Arbresh.info

Deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani  ka kritikuar presidentin e vendit, Hashim Thaçi duke thënë se ai nuk po e respekton Kushtetutën dhe po tregohet diskriminues ndaj qytetarëve të Kosovës.

Osmani ka thënë sot në Kuvend se presidenti nuk po tregohet simbol i unitetit.

Sipas saj, presidenti ka mbledhur vota për rrëzimin e Qeverisë, ka bërë fushatë në zgjedhjet që janë mbajtur sivjet në Kosovë e po ashtu nuk po tregohet transparent sa i përket dialogut me Serbinë, shkruan arbresh.info.

“Presidenti i Kosovës nuk po e luan rolin e vet si simbol i unitetit dhe këtë e dëshmoi qysh nga shpërbërja e këtij parlamenti kur ai mblidhte vota për mocionin për rrëzimin e Qeverisë. Ai po ashtu ka mbështetur PDK-në dhe ka bërë fushatë për këtë parti dhe duke pritur në zyrën e tij kandidaten për kryetare të PDK-së në Mitrovicë. Çështja e dytë në të cilën ai është duke keqpërdorur pozitën e tij është dialogu me Serbinë. Presidenti mban dhjetëra takime me Vuqin dhe nuk ka aspak transparencë për temat që diskuton”, ka thënë Osmani.

Ajo po ashtu ka kritikuar Thaçin edhe për deklaratat e tij kritikuese ndaj BE-së dhe shteteve tjera mike të Kosovës.

“Deklaratat e tij kundër BE-së dhe kundër shteteve të tjera mike tregojnë se ai po shkel rolin e tij si përfaqësues i vendit duke mos respektuar Kushtetutën e vendit. Ky president nuk po përfaqëson unitetin shtetëror por çdo ditë e më shumë po turpëron institucionin e presidentit të Kosovës”, ka përfunduar Osmani.

/arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme