Osmani takohet me kryeministrin e Katarit, u diskutua për bashkëpunimin ekonomik

22:12 | 26 Mars 2022
S D

Presidentja Vjosa Osmani është takuar sot me kryeministrin e Katarit, Khalid bin Khalifa bin Abdulaziz Al Thani, me të cilin tha se biseduan për thellimin e raporteve bilaterale mes dy vendeve, me theks të veçantë për bashkëpunimin ekonomik.

“Po ashtu takuam edhe udhëheqës të shteteve jonjohëse dhe të organizatave ndërkombëtare. Kosova ka miq anekënd botës dhe këto miqësi do të vazhdojmë t’i thellojmë më tej”, shkroi Osmani në një postim në Facebook.

Presidentja Osmani po merr pjesë në hapjen e Forumit të Dohas, së bashku me përfaqësues nga vende të ndryshme të botës, me ftesë të Emirit të Katarit, Sheikh Tamim Bin Hamad Al Thani.

Postimi i plotë:

Forumet multilaterale janë mundësi e shkëlqyeshme për Republikën e Kosovës që t’i dëgjohet zëri aty ku diskutohen cështjet më të rëndësishme globale. Prandaj kisha nderin që me ftesë të Emirit të Katarit, Sheikh Tamim Bin Hamad Al Thani, të merrja pjesë në hapjen e Forumit të Dohas së bashku me përfaqësues nga vende të ndryshme të botës.
Sot në takim me Kryeministrin e Katarit ndërkaq, diskutuam se si t’i thellojmë raportet bilaterale mes dy vendeve tona, me theks të veçantë sa I përket bashkëpunimit ekonomik.
Përgjatë forumit kishim diskutime përmbajtësore edhe me ish-Sekretarin e Shtetit të SHBA-ve, tani i deleguar i posaqëm i Presidentit Biden për ndryshimet klimatike, z. John Kerry, ku diskutuam për zhvillimet e fundit në kontinentin evropian, e në vecanti për rolin krucial që SHBA luajnë për paqen dhe stabilitetin në rajonin tonë.
Poashtu takuam edhe udhëheqës të shteteve jonjohëse dhe të organizatave ndërkombëtare.
Kosova ka miq anekënd botës dhe këto miqësi do të vazhdojmë t’I thellojmë më tej./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme