Google ADS

Osmani takohet me Kosnett, premton angazhim për një platformë dialogu dhe konsultime me opozitën

16:55 | 7 Prill 2021
M. A.

Presidentja e Republikës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në zyrë ambasadorin e SHBA’së, Philip Kosnett, me të cilin kanë diskutuar për situatën pandemike dhe sfidat që e presin përpara Kosovën.

Osmani është zotuar se do të angazhohet në përpjekjet për të siguruar vaksinën, derisa ka përmendur edhe angazhimin në temën e dialogut me Serbinë.

Shefja e shtetit ka thënë se do të angazhohet për një platformë për dialogun, duke përmendur në veçanti konsultimet dhe përfshirjen aktive të opozitës në çështje që janë të rëndësisë së madhe për vendin.

“Në takim, Presidentja Osmani po ashtu e siguroi Ambasadorin Kosnett që do të angazhohet në plotni që të krijojë një platform të mirëfilltë të dialogut me gjithë spektrin politik, duke cekur që në këtë drejtim theks të veçantë do t’i jap konsultimeve me opozitën si dhe përfshirjen e tyre aktive në çështje të interesit të veçantë për vendin”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Derisa ambasadori Kosnett e uroi dhe njëherë Presidenten Osmani për marrjen e detyrës, duke theksuar që ashtu siç Kosova është e përkushtuar për marrëdhënie të shkëlqyeshme me SHBA-të, e njëjta vlen dhe për SHBA-të dhe angazhimin e tyre karshi vendit tonë.

“Duke folur për prioritetet dhe çështjet të cilat do t’i shtyej përpara Presidentja Osmani gjatë mandatit të saj, ajo theksoi që në përputhje me kompetencat kushtetuese, politika e jashtme, siguria, e forcimi tutje i shtetësisë do të jenë pamëdyshje në fokus të parë. Gjersa, theksoi tutje që do të punojë në mënyrë aktive për përmirësimin e vazhdueshëm të imazhit të vendit. Duke marrë parasysh situatën me pandeminë dhe nevojen për mobilizim ndër institucional për menaxhim të suksesshëm të saj, Presidentja Osmani pohoi që do të angazhohet për të ndihmuar në drejtim të sigurimit të vaksinave për qytetarët tanë. Ndërlidhur me çështjen e pandemisë, të dyja palët theksuan nevojen për respektim të plotë të masave të prezantuara të qëverisë, si mënyra më e sigurt dhe e duhur për të shpëtuar jetë”, thuhet në komunikatë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme