Google ADS

Osmani: Serbia po planifikon ta sulmojë Kosovën, do t’i informojë liderët evropianë për këtë

17:52 | 13 Dhjetor 2023
E.K

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar sot para mediave në Bruksel në prag të Samitit BE-Ballkani Perëndimor se ka informacione rreth planeve të sulmeve të reja të Serbisë në Kosovë. Ajo ka shprehur shqetësimin dhe ka theksuar rëndësinë që këto alarme të merren seriozisht.

Osmani tha se do t’i informojë liderët evropianë për informatat që Kosova i ka mbledhur me partnerët e saj në lidhje me këto plane të Serbisë. Ajo përsëriti se është e domosdoshme që të merren masa preventive për të parandaluar destabilizimin e rajonit nga sulmet e mundshme të Serbisë.

“Do t’i informoj të gjithë liderët evropianë sot për informatat që institucionet tona të sigurisë së bashku me partnerët i kanë mbledhur në këtë drejtim, sepse këto janë alarme të cilat të gjithë ne duhet t’i marrim shumë seriozisht dhe të veprojmë si preventivë në mënyrë që Serbia mos ta destabilizojë më rajonin tonë”, ka theksuar Osmani.

Presidentja e Kosovës ka përmendur faktin se koha në të cilën po mbahet ky samit është e vështirë për Evropën dhe botën në përgjithësi për shkak të konflikteve globale. Megjithatë, ka shtuar Osmani, ky samit dëshmon rëndësinë e paqes në Ballkanin Perëndimor.

“Për fat të keq Serbia akoma udhëhiqet nga njerëz që dëshirojnë ta kthejnë prapa rajonin tonë në vitet e 90-ta, ne nuk duhet të lejojmë që një logjikë e tillë të triumfojë, prandaj po punojmë me partnerët tanë në BE në mënyrë që të rritet siguria në Kosovë dhe sidomos aspekti i sigurisë rreth kufirit me Serbinë dhe e dyta që të hiqen masat ndaj Kosovës, është e domosdoshme që të ketë masa ndaj Serbisë për aktin e agresionit që është kryer më 24 shtator. Për fat të keq deri më tani nuk ka pasur asnjë veprim dhe nëse vazhdohet pa asnjë veprim ose masë ndaj Serbia, ajo do ta marrë këtë si një lloj nxitjeje”, ka thënë ajo.

Osmani ka theksuar nevojën për veprime të menjëhershme ndaj Serbisë në përgjigje të aktit të agresionit që ndodhi më 24 shtator. Ajo ka shprehur shqetësimin e saj për mungesën e veprimeve deri më tani dhe ka theksuar se mosveprimi mund të konsiderohet si nxitje për më shumë agresion nga Serbia.

“Kur flas për masat, dua të jem e qartë se nuk po flas për ndëshkim, po flas për parandalim dhe për fat të keq historia ka treguar se kjo është e vetmja gjuhë që kupton Serbia, mosvendosja e masave për të është ftesë që të sulmojë sërish. Vuçiqi më së miri do t’i kuptonte masat financiare nga BE-ja”, ka shtuar Osmani./rtk

Të ngjashme