Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha se hapja e urës së Ibrit në Mitrovicë duhet të bëhet në bazë të një plani me partnerët ndërkombëtarë.
“Duhet, siç e parasheh edhe vetë plani i zbatimit të marrëveshjes së arritur në gushtin e vitit 2016, të kemi vlerësime të përbashkëta të sigurisë me partnerët tanë, dhe pas atyre vlerësimeve dhe planit të përbashkët, ajo do të përcaktojë pastaj datën”, deklaroi presidentja Osmani.
Rihapja e urës për qarkullim edhe të automjeteve, e cila ndan Mitrovicën në jug me shumicë shqiptare dhe në veri me shumicë serbe, është kundërshtuar nga bashkësia ndërkombëtare dhe nga serbët lokalë. Ushtarët italianë të KFOR-it ndodhen në urën mbi lumin Ibër, ndërsa pjesëtarët e Policisë së Kosovës ndodhen afër saj gjithashtu.
Vendet e QUINT-it, SHBA, Britania, Franca, Gjermania dhe Italia, e kanë quajtur të njëanshëm synimin e Qeverisë së Albin Kurtit për rihapjen në këtë kohë. Bashkimi Evropian ka bërë thirrje që çështja e urës të diskutohet në dialog me Serbinë.
Presidentja Osmani tha se “ura mbi lumin Ibër duhet të hapet dhe hapja e saj është vonuar për tetë vjet me radhë”.
“Çdo herë kur Kosova, në historinë e saj, ka bashkëpunuar me partnerët, çdo herë ka pasur sukses”, theksoi Osmani.
Ajo tha se lidhur me këtë çështje ka folur me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, para një muaji.
Sipas Osmanit, rihapja e temës së urës në Bruksel me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është e rrezikshme.
“Kjo çështje ka përfunduar sa i përket dialogut me Serbinë, por duhet të ketë koordinim me partnerët tanë ndërkombëtarë, në veçanti me NATO-n”.
Presidentja theksoi se koordinimi brenda Kosovës me aleatët do të ndikonte edhe në rrafshin ndërkombëtar, dhe do të rriste besimin dhe entuziazmin për të ndihmuar Kosovën edhe në rrafshin e njohjeve të reja dhe të anëtarësimit në organizata ndërkombëtare.
Lidhur me veprimet e Qeverisë së Kosovës në veri, Osmani tha se ato, gjatë dy vjetëve të fundit, janë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, por theksoi se ndonjëherë ka nevojë për më shumë hapësirë që të diskutohet me qytetarët, që të kuptohet qëllimi.
Osmani i vlerësoi të tmerrshme për qytetarët në veri ato që ajo i quajti ndërhyrje ilegale dhe kriminale në veri të Kosovës nga Vuçiqi. Presidentja deklaroi se nuk mund të ketë integrim të qytetarëve serbë në veri, derisa ata, sipas saj, janë nën presion të bandave kriminale.
Sa i përket dërgimit të draft-statutit të Bashkimit Evropian për Asociacionin e komunave me shumicë serbe për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese, Osmani tha se nuk ka hezitim, por se ai ekziston te zbatimi i njëanshëm i Marrëveshjes bazë, ku, sipas saj, Serbia ka hequr dorë nga marrëveshja.
Osmani tha se është duke diskutuar me aleatët ndërkombëtarë që Kosovës t’i ofrohen garanci të sigurisë dhe anëtarësim në organizata ndërkombëtare nëse nga Kosova kërkohet të zbatojë Marrëveshjen e Ohrit.
Për bashkëpunimi me Qeverinë e Kosovës, Osmani tha se bashkëpunon me të për çështje të interesit nacional, për interesin e qytetarëve.
Ndër tjerash, në intervistën për REL-in, Osmani foli edhe për atë se a do të kërkojë edhe një mandat si presidente e Kosovës.
Presidentja Osmani, tha se shpreson që institucionet e drejtësisë do ta hetojnë në hollësi rastin e vrasjes së një familjari të bashkëshortit të saj më 16 gusht, në Ferizaj ndërsa mohoi çfarëdo pretendimi se ajo ka qenë në dijeni rreth rastit.
“E vetmja çështje për të cilën unë kam reaguar ka qenë implikimi i rrejshëm, komplet i rrejshëm dhe i rrezikshëm i emrit tim për të çështje për të cilat nuk kemi as njohuri, as ndonjë relevancë, as ndonjë lidhje kurrë dhe as tash”, tha Osmani.
Ambasadori i Zvicrës: Qeveria e Kosovës ka marr hapa të mëdh...
Tentuan të grabisin një market në Ferizaj, arrestohen dy të ...
Rama: Shqipëria ka pasur rritjen më të lartë ekonomike, për ...
Sara për Drilonin: Nuk i falet, më thoshte jam prapa teje
Konjufca: Luftimi i dhunës në familje dhe bazë gjinore është...
Sara për Drilonin: Nuk i falet, më thoshte jam prapa teje