“Të rinjtë janë forca e vërtetë vepruese për ndryshimet e mëdha në shoqëri”.
Kështu tha sot kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë një pritjeje që u bëri përfaqësuesve të disa organizatave të të rinjve, në Ditën Ndërkombëtare të Rinisë.
Ajo u tha aktivistëve rinorë të rrjetit global të të rinjve, Global Shapers Community, Hope Lipjan dhe Qendrës së Rinisë në Drenas se transformimi i vërtetë i një shoqërie nis nga edukimi i mirëfilltë i të rinjve dhe krijimi i mundësive për ushtrim të kreativitetit të tyre.
“Këto janë parakushte për realizimin e aspiratës suaj për ta transformuar shoqërinë dhe për krijimin e hapësirës së domosdoshme vepruese për ju”, u tha atyre Osmani.
Krahas edukimit, kryetarja Osmani diskutoi me ta edhe për domosdonë që të rinjve t’u ofrohen më shumë shanse për të zhvilluar punë praktike në institucionet e vendit, si dhe mundësi për punë vullnetare, si periudhë kalimtare ndërmjet edukimit formal dhe tregut të punës. Kjo, sipas znj. Osmani është shumë e rëndësishme, sidomos në vendet sikur Kosova, ku shkalla e papunësisë së të rinjve është ende shumë e lartë.
Në anën tjetër, përfaqësuesit e të rinjve e falënderuan Osmani për pritjen dhe theksuan se e shohin si tepër të rëndësishëm krijimin e urave lidhëse ndërmjet organizatave rinore dhe vendimmarrësve politikë, ngase adresimi i problemeve të të rinjve te vendimmarrësit mund ta rrisë hapësirën kreative për të rinjtë, por, po kështu ndikon ndjeshëm edhe në rritjen e besueshmërisë së tyre në institucionet e vendit.
Sipas tyre, është shumë e rëndësishme që të rinjve t’u krijohen mundësi që problemet e tyre t’i adresojnë drejtpërdrejt te vendimmarrësit.
“Bashkëpunimi është jetik për rikthimin e besimit të rinisë në institucionet e vendit”, thanë përfaqësuesit e këtyre organizatave.
Sipas tyre, ndërlidhja me Kuvendin e Kosovës, si institucion përfaqësues përbën motiv për angazhimin e të rinjve në jetën e përditshme./arbresh.info
Mblidhet KQZ për certifikimin e 17 subjekteve tjera politike
Sot diskutohet për transparencën parlamentare
Rama: Nis shpërndarja e mbi 20 mijë librave artistikë për bi...
Nëntë vite më parë Kushtetusja vendosi për Asociacionin
“Ke e diele, nuk u nejke”, arsyetimi qesharak i Gjestit pse ...
Mot i paqëndrueshëm në Shqipëri, vranësira dhe reshje shiu, ...