Osmani priti në takim Ndihmës Administratoren e USAID-it, Erin McKee

15:16 | 21 Nëntor 2024
K.B

Presidentja e  Kosovës, Vjosa Osmani, priti në takim Ndihmës Administratoren në Byronë për Evropë dhe Euroazi të USAID-it, ambasadoren Erin McKee, me rastin e shënimit të 25 vjetorit të partneritetit dhe bashkëpunimit ndërmjet USAID-it dhe popullit të Kosovës.

Osmani e ka përgëzuar USAID-in për miqësinë 25-vjeçare dhe mbështetjen e palëkundur për Kosovën.

Sipas Osmanit, misioni i USAID-it gjatë çerek shekullit të kaluar, ka qenë i rëndësishëm në fuqizimin e të rinjve, grave, investimin dhe ndërtimin e institucioneve që mbështesin drejtësinë, barazinë dhe mundësitë për të gjithë.

“Trashëgimia transformuese e USAID-it është e dukshme në çdo cep të Kosovës, nga forcimi i institucioneve deri te rritja e qëndrueshme ekonomike dhe avancimi i parimeve demokratike”, ka theksuar  Osmani.

Në këtë kontekst, Osmani shprehu mirënjohjen e thellë për kontributin e jashtëzakonshëm të USAID-it, përfshirë investimin prej mbi 1 miliard dollarësh në fushat ndryshme për progresin e Kosovës.

“Presidentja Osmani theksoi gjithashtu rëndësinë e vazhdimit të mbështetjes së projekteve në fushën e drejtësisë dhe luftën kundër korrupsionit, si dhe projektet për fuqizimin ekonomik të grave, duke rikonfirmuar përkushtimin e Presidencës për t`i mbështetur këto projekte në dobi të të gjithë qytetarëve të Kosovës”, thuhet në njoftimin nga Presidenca./Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme