Google ADS

Osmani: Përgjatë 25 viteve, Kosova ka dëshmuar së është partner i NATO-s

20:34 | 7 Shtator 2023
E.H

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani zhvilloi një vizitë zyrtare në selinë e NATO-s, ku u prit nga sekretari i përgjithshëm, Jens Stoltenberg.

Me anë të një video-mesazhi në Facebook, Osmani u është drejtuar qytetarëve të Kosovës ku ka dhënë detaje për takimet e një pas njëshme që ka zhvilluar në Bruksel.

Përveç takimit me Stoltenbergun dhe bashkëpunëtorët e tij, Osmani ka zhvilluar edhe një takim të rëndësishëm me admiralin Bauer, kryesues i Komitetit Ushtarak në NATO, përcjell Arbresh.info.

“Diskutimet ishin shumë përmbajtjesore dhe jam e lumtur që sërish morëm përkushtimin e plotë të aleatëve tanë që të vazhdojnë të punojnë me Kosovën, që të vazhdojnë prezencën e tyre në Kosovë, në kuadër të punës sonë të përbashkët për siguri e stabilitet në gjithë rajonin tonë. Kosova, siç e dini është shteti më pro-NATO jo vetëm në rajon, por në gjithë botën, sepse vizioni ynë dhe qytetarëve tanë është që Kosova të anëtarësohet në NATO, që më 1999 shpëtoi jetët tona dhe, edhe sot e kësaj dite, mundëson që qytetarët tanë të jetojnë në paqe”, deklaroi presidentja Osmani.

Ajo, më tej, vuri në pah disa nga sfidat me të cilat ballafaqohet shteti ynë veçanërisht në veri të vendit, për shkak, sikundër tha ajo, të grupeve të organizuara kriminale serbe.

“Shteti ynë, veçanërisht në veri të vendit, për shkak të grupeve të organizuara kriminale serbe, që i diskutuam sot, duhet të bashkëpunojmë me partnerët dhe aleatët tanë në mënyrë që t’i zgjidhim të gjitha këto sfida të sigurisë, sepse kjo është çështje kolektive”, shtoi më tej Osmani.

Më tej, ajo kujtoi se përgjatë këtyre 25 vjetëve Kosova ka dëshmuar që është partner i NATO-s, duke shtuar se ende vazhdon të dëshmojë, derisa theksoi se edhe më tutje do të vazhdojë të koordinohet me partnerët e saj, në të mirë të të gjithë qytetarëve dhe të sovranitetit të Kosovës, por edhe paqes e stabilitetit rajonal./Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme