Google ADS

Osmani pas pranimit të Raportit për Kosovën: Prioritet i institucioneve tona është anëtarësimi në BE

18:05 | 12 Tetor 2022
E.H

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani sot ka pranuar Raportin e Komisionit Evropian për Kosovën për vitin 2022, nga shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomáš Szunyog.

Presidentja Osmani ka ritheksuar përkushtimin e institucioneve të Republikës së Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian, si prioritet shtetëror i vendit tonë.

Në këtë drejtim, Presidentja Osmani ka përmendur hapat konkret të ndërmarra nga institucionet e Republikës së Kosovës për forcimin e sundimit të ligjit, demokracisë dhe të drejtave të njeriut, thuhet në komunikatën për media.

Ambasadori Szunyog ka theksuar se raporti i sivjetëm njeh progresin e përgjithshëm të Kosovës, veçanërisht në sundimin e ligjit, si në krahasim me vitin e kaluar ashtu edhe me vendet e rajonit.

Në temën e reformave, Presidentja Osmani ka folur mbi vullnetin e institucioneve të Republikës për ta vazhduar punën intensive në luftim të krimit dhe korrupsionit, dhe ka deklaruar vendosmërinë për fuqizim të sundimit të ligjit në të gjitha sferat.

Presidentja Osmani ka thënë se Republika e Kosovës formalisht do të aplikojë për anëtarësim në Bashkimin Evropian, duke theksuar nevojën e përshpejtimit të këtij procesi, si dhe nevojën urgjente të përmbylljes së procesit të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

Presidentja më tej potencoi se në kuadër të kompetencave kushtetuese do të jetë garantuese e realizimit të këtyre prioriteteve, ashtu siç ka qenë edhe deri më tash./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme