Osmani para takimit: Nuk kemi pranuar propozime të reja për Asociacionin, qëndrimet tona janë të qarta

10:19 | 31 Janar 2022
V. S.

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka folur për takimin e sotëm me emisarin e SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe të dërguarin e BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak.

Para mediave, Osmani ka bërë të ditur se asnjëherë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nga Bashkimi Evropian, institucioneve të Kosovës nuk i janë prezentuar propozimet që janë duke u përmendur, për një autonomi të zgjeruar apo për një Asociacion të Komunave Serbe me kompetenca ekzekutive, raporton arbresh.info

“Modele që do ta shndërronin Kosovën në shtet jo funksional as nuk na kërkohen as nuk i pranojmë. Dua ti sqaroj se propozimet për të cilat po flitet asnjëherë nuk i janë prezantuar palës tonë, pra institucioneve të Kosovës. Problemi i madh është se kanë qenë përfaqësuesit e Kosovës ata që kanë nënshkruar marrëveshje të dëmshme të cilat Asociacionit të komunave serbe i kanë dhënë kompetenca ekzekutive. Duhet ta themi një realitet sepse është e zeza në të bardhën, është letër e nënshkruar nga ish kryeministra të Kosovës dhe përgjegjësia duhet të merret si e tillë”, tha Osmani.

Tutje Osmani ka thënë se, qëndrimet e Institucioneve të Kosovës për Asociacionit kanë qenë të qarta.

“Si përfaqësues të Republikës të Kosovës ne jemi të vendosur që të mos lejojmë të implementohen në vendin tonë modele të cilat do ta bënin shtetin tonë jofunksional. Keni dëgjuar ambasadorin e SHBA-ve dhe z.Escobar që në fakt kërkesa e tij është që të mos implementohen modele që veriun e Kosovës do ta shndërronin në një republika srpska të re, pra nuk kërkohen kompetenca ekzekutive. Qëndrimet tona sa i përket Asociacionit kanë qenë të qarta dhe nuk janë befasi për askënd”, tha Osmani.

Këto deklarata, presidentja i bërë gjatë homazheve që bëri se bashku më Kryeministrin Albin Kurti, te shtatoret e heronjve Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu, Edmond Hoxha dhe Ilir Konushevci, më rastin e 25 vjetorit të rënies së tyre./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme