Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), në ditën e dytë të “Javës Kundër Korrupsionit”, ka organizuar tryezë ku edhe ka publikuar raportin me titull: “Dimensioni gjinor i korrupsionit”.
Në këtë tryezë kanë marrë pjesë Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, Drejtoresha e Byrosë për Çështje të Narkotikëve Ndërkombëtarë dhe Zbatimit të Ligjit INL, Tamra Greig, Zëvendëskryesusja e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Arjeta Sadiku, si dhe përfaqësues tjerë të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare.
Raporti u prezantua nga hulumtuesja e lartë në IKD, Arrita Rezniqi e cila në fillim tha se ky raport për herë të parë bën një lidhje direkte të lidershipit të grave dhe reduktimit të korrupsionit. “Por jo vetëm kaq, ky raport i jep rëndësi të veçantë edhe mënyrave unike sesi korrupsioni i prek gratë, duke prezantuar forma të reja të korrupsionit, në mënyrë që të ngrisim vetëdijen për këto forma dhe të mundësojmë raportimin e tyre në shkallë më të lartë tash e tutje”, tha ajo.
Sipas Rezniqit, kur flasim për lidershipin e grave, ka studime të shumta që vënë në dukje potencialin e grave lidere për të udhëhequr me integritet. Ajo shtoi se përfundimi i këtyre studimeve zakonisht është shumë i qartë: “sa më shumë gra në pushtet, aq më pak ka korrupsion”.
Rezniqi tha se statistikat mund të na kenë zbuluar realisht edhe një çështje shumë konkrete se pse Kosova nuk po shënon asnjëherë rezultate konkrete në luftën kundër korrupsion. “Ndoshta lidershipi i grave në Kosovë është edhe çelësi i suksesit në luftën kundër korrupsion”, u shpreh Rezniqi.
Në fjalën e saj në këtë tryezë, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, tha se gratë në pozita udhëheqëse kanë treguar gjithmonë edhe një perspektivë shtesë. “Gratë në pozitat udhëheqëse kanë treguar gjithmonë edhe një perspektivë shtesë, u përmend gjithëpërfshirja si një ndër parimet themelore, përkushtim, empati ndaj qytetarëve edhe cilësi të cilat janë të domosdoshme edhe ndaj luftës kundër korrupsionit.”, tha Osmani.
Sipas Presidentes, Kosova është një shtet që po ecën me hapa të rëndësishëm drejt stabilitetit dhe zhvillimit, por mbesin sfida të shumta, pabarazia gjinore në çdo sektor është një prej tyre. “Siç u përmend edhe nga të gjeturat e raportit shihet që nëse e shohim sistemin e drejtësisë ne veçanti në gjyqësor kemi një arritje më të madhe sa i përket prezencës së grave në pozita të rëndësishme. Në Sistemin Prokurorial fatkeqësisht kjo nuk është ashtu, shpresoj që kjo çështje të merret parasysh, jo vetëm si çështje numrash sepse asnjëherë nuk është çështje numrash. Barazia gjinore në çdo institucion ka rezultuar me rritje të transparencës, me rritje të besimit qytetar në ato institucione, me rritje të kualitetit të punës dhe me gjithëpërfshirje, e cila është njëra prej parimeve bazike të arritjes së sukseseve” tha Presidentja Osmani-Sadriu.
Tamra Greig, drejtoreshë e INL-it, tha që shpreson që ngjarja e sotme të na kujtojë sërish se veprimet e vendosura të individëve po bëjnë ndryshimin. “Ju keni shembur muret e pandëshkueshmërisë dhe keni rindezur besimin e qytetareve për t’i mbajtur Qeverinë dhe institucionet llogaridhënëse. Për të gjithë kampionët e antikorrupsionit këtu sot dhe shumë përtej kësaj salle, ju lutem dijeni se keni një partner në Shtetet e Bashkuara”, përfundoi Greig.
Zëvendëskryesuesja e Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGjK), Arjeta Sadiku, u shpreh se KGjK i vlerëson raportet e tilla, sidomos kur vijnë nga organizatat kredibile siç është IKD dhe shtoi se edhe rekomandimet e dhëna merren në konsideratë, jo vetëm nga Këshilli por edhe nga gjykatat respektivisht kryetarët e gjykatave.
Sipas saj, KGjK ka ndërmarrë veprime të cilat bazohen në plane strategjike e të cilat kanë sjellë rezultate të dukshme në tërë sistemin gjyqësor. “Fuqizimi i rolit të gruas në gjyqësor ka qenë në fokus të veprimtarisë së Këshillit Gjyqësor, ku gjatë proceseve të rekrutimit të cilat janë cilësuar shumë transparente edhe nga monitoruesit, janë punësuar dhe avancuar një numër i madh i grave, duke përfshirë edhe pozitat menaxheriale. Kjo ka ndikuar në ndryshimin e perceptimit sa i përket rolit të gruas në aftësitë menaxhuese dhe po ashtu në rritjen e besimit të publikut në sistemin e drejtësisë. Është e rëndësishme të theksohet se në çdo proces të rekrutimit kemi një numër të madh të aplikantëve të cilët janë të rinj në moshë e që kjo situatë tregon nivelin e besimit që këta të rinjë e kanë në sistemin e drejtësisë”, u shpreh tutje ajo.
Ndryshe, java kundër Korrupsionit po organizohet nga Koalicioni i Organizatave të Shoqërisë Civile i përbërë nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), Lëvizja FOL dhe Iniciativa për Progres (INPO), me moton “Bashkë kundër korrupsionit”, me përkrahje të Departamentit të Shtetit Amerikan – Byrosë për Çështje të Narkotikëve Ndërkombëtarë dhe Zbatimit të Ligjit (INL), aktivitet ky në kuadër të “Java Kundër Korrupsion 2024”.
Masar Omeragiq presidenti i ri i Federatës së Futbollit në M...
Mbyllet për një vit, Rama: TikTok nuk ka çfarë sqarimesh kër...
Sali Berisha: Ndalimi i TikTokut, akt ekstrem censure
Deri në një orë pritje te Dheu i Bardhë dhe Muçibabë për të ...
Rama publikon pamje nga Porti i Durrësit: Numri i vizitorëve...
Man United pëson debakël në “Old Trafford”, Chelsea ndalet n...