Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në samitin e Brdo-Brijuni, në fjalimin e saj ka thënë se suksesi i Bashkimit Evropian është i plotë kur vendet e Ballkanit Perëndimor të anëtarësohen.
Ajo ka thënë se këto vende janë duke e kryer pjesën e tyre, dhe ka bërë thirrje që edhe BE-ja ta kryej detyrimin e vet.
Osmani duke folur për perspektiven evropiane të Kosovës, ka thënë se jemi vendi më pro – evropian në rajon. Sa i përket liberalizimit të vizave Osmani tha se Kosova ka plotësuar dyfish kritere më shumë se vendet tjera.
“Në rastin e Republikës së Kosovës, ajo (BE) ende nuk e ka mbajtur premtimin e saj të vonuar për t’u dhënë qytetarëve tanë liberalizimin e vizave. Ndërsa e ka përmbushur këtë premtim për shumë vende, përfshirë edhe ato në Lindjen e Largët dhe Amerikën Latine, këtë nuk e ka bërë për ne.
Qytetarët e Republikës së Kosovës mbeten të izoluar dhe peng i shqyrtimeve (konsideratave) të brendshme politike të disa shteteve anëtare.
Republika jonë është vendi më pro-BE në rajon, dhe institucionet tona kanë përmbushur dyfishin e kritereve në lidhje me liberalizimin e vizave krahasuar me të gjitha vendet e tjera në rajon, dhe është shtëpia e vetëm 1.8 milion qytetarëve.
Është thelbësore që ‘Perspektiva jonë Evropiane’ të mos mbetet vetëm një frazë e zbrazët. Ne i kemi përmbushur detyrat tona, kështu që ato tani duhet të japin rezultate”, ka thënë Osmani.
Fjalimi i plotë i saj:
Të nderuar Presidentë Pahor dhe Milanoviq,
Të nderuar Shkëlqesi,
Dua të filloj duke falënderuar mikpritësit tanë të sotëm për lehtësimin e këtij takimi të presidentëve në rajon në një kohë kaq të paprecedentë, jo vetëm për Ballkanin Perëndimor por për mbarë botën.
Por sidoqoftë, kohët si këto tregojnë nevojën absolute për bashkëpunim midis nesh, si fqinjë, në baza të barabarta dhe nevojën për reflektim dhe ndershmëri mbi mënyrën se si ne kolektivisht ecim përpara.
Të dashur kolegë,
Ky eveniment shënon 10 vjetorin e procesit Brdo-Brijuni.
Sot duhet t’i kujtojmë vetes pse e filluam këtë dhe ta përdorim si motiv për të hequr barrierat dhe pengesat dypalëshe të cilat na kanë ngadalësuar gjatë rrugës.
Ne duhet të reflektojmë për atë që është arritur, dhe në të vërtetë atë që nuk është arritur, dhe ç’është më e rëndësishmja, se si mund ta kompensojmë këtë mosarritje.
Ky moment i rëndësishëm është një përkujtues i nevojës urgjente për një bashkëpunim më të madh rajonal me qëllim përfundimtar integrimit në Bashkimin Evropian.
Me një perspektivë të qartë të BE për të gjithë, dhe angazhime të definuara mirë për bashkëpunim më të ngushtë, ne e vendosim veten në një pozitë shumë më të mirë për të mishëruar dhe implementuar vlerat themelore të Bashkimit Evropian: respektimin e dinjitetit njerëzor dhe të drejtave të njeriut, lirinë, demokracinë, barazinë dhe sundimin e ligjit.
Republika e Kosovës është e përkushtuar për avancimin e vlerave të BE-së dhe bashkëpunimin rajonal ekonomik dhe politik në frymën e vërtetë të Procesit Brdo Brijuni.
Për më shumë se një vit rajoni ynë dhe e gjithë bota janë përballur me pandeminë vdekjeprurëse COVID-19. Ne kemi qenë dëshmitarë të ndryshimeve të rëndësishme në komunitetet tona, të tilla si fëmijët që kalojnë me shpejtësi në mësimin në distancë, shumë punonjës që punojnë nga shtëpia dhe firma të shumta që miratojnë modele dixhitale të biznesit për të ruajtur veprimtarinë dhe për të ruajtur rrjedhën e të ardhurave.
Pandemia ka paraqitur sfida serioze për politikë bërësit në të gjitha vendet tona, por gjithashtu ka ofruar një mundësi për nxënien e mësimeve të vlefshme.
Ekziston një pritje e qartë nga qytetarët që ekonomitë tona përkatëse duhet të arrijnë një shpërndarje më efikase dhe më të drejtë të burimeve me qëllim të rritjes së produktivitetit, rritjes ekonomike dhe punësimit. Kjo kërkon ndryshim të përqendruar në inovacion dhe sipërmarrje.
Gjatë gjithë kësaj periudhe, ne gjithashtu kemi kuptuar që vetëm përmes veprimit të koordinuar, solidaritetit dhe multilateralizmit të institucionalizuar mund të kemi një shans për të ruajtur demokracitë tona dhe për të mbrojtur shëndetin dhe mirëqenien e qytetarëve tanë.
Dhe përderisa ne vazhdojmë të luftojmë me sfidat e paraqitura nga pandemia dhe të përqendrohemi në rimëkëmbjen ekonomike, ne kemi nevojë për veprim të guximshëm dhe udhëheqje që plotësojnë nevojat e qytetarëve tanë dhe të shoqërisë sonë kolektive, në shekullin e 21-të.
Ne kemi një momentum për ndryshim të mirëfilltë dhe këtë duhet ta përdorim me mençuri.
Kur të gjithë të shkojmë në shtëpi pas samiteve globale dhe takimeve si ky sot, unë besoj se pritja nga qytetarët tanë është që të kthehemi me qëllime dhe ambicie të arritshme, jo vetëm përshëndetje për hir të kamerave.
Ne duhet të punojmë shumë për të përqafuar dhe zbatuar modelet e bashkëpunimit rajonal të bazuara në rregullat e BE-së, të cilat promovojnë marrëdhënie të zgjeruara tregtare dhe adresimin e mangësive në lidhje me sundimin e ligjit dhe papunësinë, dhe të punojmë për të intensifikuar shkëmbimet kulturore, arsimore dhe sportive, për të zhvilluar infrastrukturë më të mirë, si dhe, të shohim se si ne përdorim teknologjinë dhe dixhitalizimin për të rritur mirëqenien e përgjithshme.
Dhe, përderisa e bëjmë këtë, ne duhet të qëndrojmë të përqendruar në ndjekjen e udhërrëfyesit të vendosur nga Marrëveshja e Gjelbër Evropiane dhe së bashku të biem dakord për t’i kthyer sfidat mjedisore dhe klimatike në mundësi në të gjitha fushat e politikave. Me shkallën dhe ritmin e ndryshimit të kërkuar, ne do të kemi nevojë për mbështetjen e Bashkimit Evropian për të siguruar shpërndarje të barabartë midis vendeve tona.
Te dashur kolege,
Pyetja për rajonin tonë nuk duhet të jetë “Nëse Bashkimi Evropian?”
Pyetja duhet të jetë “Kur?”
Sa më shpejt të përfundojë procesi i zgjerimit, aq më shpejt do të jetë i përfunduar vetë projekti i Bashkimit Evropian. Përfshirja e Republikës së Kosovës dhe atyre vendeve të Ballkanin Perëndimor që kryejnë reformat e nevojshme është thelbësore për suksesin e Bashkimit.
Ne jemi të vetëdijshëm për sfidat me të cilat përballet Bashkimi, ato janë të shumëfishta. Ne jemi gjithashtu të vetëdijshëm për rezistencën e disa Shteteve Anëtare ndaj idesë së anëtarësimit në BE të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Por duhet t’u bëhet e qartë të gjithëve që vënë në dyshim anëtarësimin e rajonit se rezistenca e tyre do të kontribuojë vetëm në një gjë – dhe kjo është se do të nxisë paqëndrueshmërinë dhe do të krijojë mundësi për aktorët malinj të ushtrojnë ndikim në rajonin tonë, gjë që nga ana tjetër mund të destabilizojë tërë kontinentin.
Anasjelltas, anëtarësia jonë është garantuese për stabilitetin, paqen e qëndrueshme dhe mirëqenien e shtuar përbrenda kufijve të Evropës.
Por ndërsa secila nga vendet tona vazhdon të bëjë pjesën e vet të punës, Bashkimi Evropian duhet të duhet ta kryej detyrimin e vet.
Dhe në rastin e Republikës së Kosovës, ajo ende nuk e ka mbajtur premtimin e saj të vonuar për t’u dhënë qytetarëve tanë liberalizimin e vizave. Ndërsa e ka përmbushur këtë premtim për shumë vende, përfshirë edhe ato në Lindjen e Largët dhe Amerikën Latine, këtë nuk e ka bërë për ne.
Qytetarët e Republikës së Kosovës mbeten të izoluar dhe peng i shqyrtimeve (konsideratave) të brendshme politike të disa shteteve anëtare.
Republika jonë është vendi më pro-BE në rajon, dhe institucionet tona kanë përmbushur dyfishin e kritereve në lidhje me liberalizimin e vizave krahasuar me të gjitha vendet e tjera në rajon, dhe është shtëpia e vetëm 1.8 milion qytetarëve.
Është thelbësore që ‘Perspektiva jonë Evropiane’ të mos mbetet vetëm një frazë e zbrazët. Ne i kemi përmbushur detyrat tona, kështu që ato tani duhet të japin rezultate.
Populli im dhe vendi im besojnë në këtë projekt. Ne besojmë në vlerat evropiane dhe ne riafirmuam angazhimin tonë për këto vlera në zgjedhjet e fundit.
Unë besoj thelbësisht se e ardhmja e vendeve të Ballkanit Perëndimor qëndron në Bashkimin Evropian. Kështu që, unë e them këtë këtu sot, dhe do t’ua them kolegëve në tërë Evropën – BE-ja duhet të hapë dyert për të gjitha vendet në rajonin tonë që përmbushin kriteret e nevojshme dhe me të vërtetë angazhohen dhe kontribuojnë në demokratizim, stabilitet, drejtësi dhe sundim të ligjit.
Të dashur kolegë, marrëdhëniet e mira fqinjësore nuk duhet të mbeten vetëm një frazë e zbrazët. Një fqinj i mirë as nuk ndërhyn dhe as nuk destabilizon një tjetër. Një fqinj i mirë respekton sovranitetin, integritetin territorial dhe rendin kushtetues të tjetrit. Një fqinj i mirë nuk bëhet një instrument i akterëve keqdashës rus apo të tjerë për të ndikuar në rajonin tone.
Ne duhet të punojmë për t’iu kundërvënë ndërhyrjeve të tilla.
BE-ja nuk duhet të jetë vetëm një alternativë. Duhet të jetë opsioni i vetëm për vendet e Ballkanit Perëndimor. Sepse, siç thotë shprehja: nuk mund të ulesh në dy karrige në të njëjtën kohë.
Sa i përket udhëtimit tonë evropian, Kosova beson fuqimisht se NATO ka qenë një komponent thelbësor i paqes dhe sigurisë në rajonin tonë. Jam shumë e kënaqur që gjithnjë e më shumë vende nga rajoni jonë i janë bashkuar kësaj aleance që siguron paqe, stabilitet dhe prosperitet. Ne, në Kosovë, jemi të përkushtuar të bëjmë të njëjtën gjë, sepse anëtarësimi në Partneritetin për Paqe dhe anëtarësimi në NATO mbetet një përparësi strategjike.
Si një komb paqedashës, ne gjithmonë kemi demonstruar se jemi një palë progresive dhe konstruktive në proceset rajonale dhe forumet ndërkombëtare. Sot, unë dua të riafirmoj vullnetin tonë për të mbetur një partner dhe aleat konstruktiv.
Megjithatë, më lejoni ta them këtu me zë të lartë dhe të qartë: Republika e Kosovës si një shtet sovran dhe i pavarur është një projekt i përhershëm. Askush dhe asgjë nuk mund ta ndryshojë këtë realitet. Aventurat e rrezikshme mbi ndryshimet e kufijve duhet të refuzohen me vendosmëri nga të gjithë ne, nëse me të vërtetë dëshirojmë paqe dhe stabilitet në rajonin tone.
Përderisa Kosova ka qenë gjithmonë një partner konstruktiv, është realitet se ajo jo gjithmonë e ka marrë këtë trajtim nga disa fqinjë tanë. Përkundër shumë përpjekjeve për të përmirësuar bashkëpunimin rajonal dhe shumë institucione të ngritura për të lehtësuar tregtinë midis vendeve tona, ndërmarrjet dhe bizneset në Republikën e Kosovës rregullisht përballen me pengesa jo-tarifore nga autoritetet në Serbi dhe Bosnjë dhe Hercegovinë.
Serbia zbaton pengesa teknike në tregti, masa sanitare dhe fitosanitare dhe pengesa administrative të lidhura me tranzitin, licenca dhe rregulla të origjinës. Ndërsa, doganat e Bosnjës dhe Hercegovinës nuk bashkëpunojnë me doganat tona për ndihmë të ndërsjellë në certifikimin dhe verifikimin e origjinës sipas Nenit 32 dhe 33 të Marrëveshjes CEFTA të vitit 2006. Këta shembuj tregojnë se përtej retorikës nga fqinjët tanë, realiteti është se bizneset në Kosovë penalizohen sistematikisht dhe bllokohen nga hyrja dhe konkurrimi në tregjet e tyre.
Ndërsa ecim përpara, duhet të kujtojmë se mund të kemi sukses vetëm nëse përballemi me realitetin ekzistues dhe ndonjëherë të vështirë.
Realiteti është se këto pengesa ekonomike ushqehen nga një histori e errët e kohëve të fundit. Përballja me këtë – kërkimi dhe vendosja e drejtësisë – do të nxisë gjithashtu një dialog të ndershëm, si ekonomik ashtu edhe politik.
Rajoni jonë është ende i plagosur nga e kaluara. Dhe shumë nga ato plagë janë akoma të hapura dhe ende nuk janë shëruar. E vetmja mënyrë për të shëruar është të ofrosh drejtësi.
Ne do të mund të ecim përpara vetëm kur nënat dhe familjet e personave të zhdukur në Republikën e Kosovës, Kroaci dhe Bosnjë e Hercegovinë përfundimisht e mësojnë vendndodhjen e të dashurve të tyre të zhdukur. Ata meritojnë të kenë një vend ku mund të vendosin një lule. Ata meritojnë paqe brenda zemrave të tyre – ne të gjithë, meritojmë paqe.
Deri më sot, 1639 persona nga Kosova janë të zhdukur të cilët u zhdukën me forcë gjatë luftës 1998-1999, shumë prej të cilëve ishin fëmijë. Të kuptohet për fatin e tyre nuk është thjesht politikë, përkundrazi, të kuptohet për fatin e tyre është një çështje themelore e respektimit dhe zbatimit të të drejtave të njeriut në rajonin tonë.
Drejtësia është parakusht për paqe.
Unë kam besim se të kuptohet për fatin e personave të zhdukur do të shënonte një pikë të fortë fillestare për pajtim, e cila do të hapte rrugën për angazhime më të sinqerta në ndërmarrjet e tjera rajonale tutje.
Ne mund të kalojmë tek kapitujt e radhës vetëm kur të gjithë të lexojmë dhe kuptojmë plotësisht kapitujt e mëparshëm, dhe atë para nesh këtu, sot.
Ne do të mund të shijojmë paqen dhe prosperitetin në kuptimin e saj të plotë vetëm kur flasim me sinqeritet:
Kur të flasim për të vërtetën se çfarë ndodhur në rajonin tonë,
Çfarë ndodhi në të vërtetë me viktimat, të mbijetuarit, të zhdukurit nga luftërat?
Dhe më e rëndësishmja, pse autorët e këtyre krimeve të neveritshme të kryera nga regjimi i Millosheviqit, nuk janë pas grilave?
Përtej detyrës sime si Presidente e popullit të Kosovës, është detyrë morale dhe njerëzore të flas të vërtetën rreth asaj se çka ndodhi në vendin tonë. T’i quajmë krimet e kryera nga regjimi i Millosheviqit me emrin e tyre: Krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid. Dhe, më e rëndësishmja është të kërkojmë nga fqinji ynë Verior, Serbia, të sjellë para drejtësisë autorët e këtyre krimeve të tmerrshme kundër civilëve të pafajshëm.
Në vend të llogaridhënies, ajo që po shohim është mohimi dhe revizionizmi historik i asaj që ndodhi gjatë viteve të 90-ta në rajonin tonë. Lidershipi i përgjegjshëm dhe i guximshëm kërkon refuzim të vendosur të një veprimi të tillë të tmerrshëm.
Të dashur kolegë,
Rruga jonë drejt paqes dhe pajtimit është e qartë, nëse dëshirojmë ta zgjedhim atë.
Rruga jonë drejt prosperitetit dhe bashkëpunimit rajonal është e qartë, nëse dëshirojmë ta zgjedhim atë.
Rruga jonë drejt Evropës është e qartë, nëse dëshirojmë ta zgjedhim atë.
Sot, Shkëlqesi, ju them se kjo është rruga që Republika e Kosovës ka zgjedhur dhe nuk ka asgjë që mund të na largojë prej saj.
Në zonën 60 km/h voziti 117 km/h, policia shqipto gjobë prej...
Hamzën në Hannover dhe Köln: Kosova është shtëpia jonë e për...
Vazhdojnë paraqitjet e mira të Zhegrovës – shpallet lojtari ...
Osmani: Kosova dhe Kanadaja do ta fillojnë Programin e Bashk...
Haradinaj: Kosova direkt në NATO, është kthesa e madhe për K...
Erdogan synon rritjen e tregtisë me Rusinë