Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka qëndruar sot në kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë.
Duke inspektuar këtë organizatë, Osmani tha se FSK është duke kaluar nëpër një tranzicion shumë të rëndësishëm.
Gjithashtu ajo foli edhe për takimet e saj, përkatësisht me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, e me të cilin tha se kanë biseduar për bashkëpunimin e NATO-s dhe koordinimin e nevojshëm për tërë territorin e Kosovës, shkruan RTKLive.
Si çdo 27 nëntor tjetër, edhe këtë herë Forca e Sigurisë së Kosovës ka organizuar “Ditën e Hapur”. Qytetarë e familjarë të shumtë nga e gjithë Kosova në këtë ditë kanë parë nga afër aftësitë dhe kapacitetet ushtarake të FSK-së.
Prezent në hapësirat e kazermës “Adem Jashari” ka qenë edhe komandantja supreme e kësaj force së bashku me vëllain e komandantit legjendar, Rifat Jashari dhe gjeneralin e FSK-së, Bashkim Jashari.
Presidentja Osmani është njoftuar me kapacitet aktuale të FSK-së.
E para e shtetit këtu tha se kjo forcë po kalon një fazë të rëndësishme të tranzicionit.
Osmani po ashtu ka deklaruar se me bashkësinë ndërkombëtare ka një koordinim të vazhdueshëm për tërë territorin e Kosovës, dhe jo vetëm për ndonjë rajon specifik.
“Deri më tani kam pasur disa takime me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg dhe natyrisht se diskutojmë për ndërveprimin tonë më NATO-n dhe koordinimi ynë më NATO-n është i nevojshëm për tërë territorin e Kosovës dhe jo vetëm për veri.Ne flasim për të gjithë territorin, Kosova është e tëra dhe është e pandashme. Andaj çdo koordinim i yni me bashkësinë ndërkombëtare është për tërë territorin e Kosovës”, tha Osmani.
Komandanti i FSK-së, Bashkim Jashari, ka uruar gjithë qytetarët për festat e nëntorit.“Duke falënderuar secilin pjesëtarë për angazhimin dhe shërbimin ndaj vendit, sot së bashku festojmë të arriturat dhe sukseset e FSK-së, dhe kështu nderojmë sakrificën e popullit ndër breza”, theksoi Gjeneral Jashari.
Ndërkohë, brenda objektit të kazermës, presidentja Osmani dhe Rifat Jashari kanë bërë zbulimin e një portreti të komandantit legjendar Adem Jashari, punuar nga piktori Faton Kryeziu.
Kurti vizitoi repartin e rinovuar të Hemodializës në spitali...
Hiqet flamuri i Serbisë nga një intitucion paralel në veri
Aksident mes tri veturave dhe kamionit në qendër të Prishtin...
Rashford e bën prioritet transferimin te gjiganti evropian, ...
Mbi 3 mijë pjesëtarë të policisë iu nënshtruan kontrolleve s...
Çedomir Aksiq dënohet në mungesë me 15 vjet burgim për krime...