Osmani: Maqedonia e Veriut mbështet fuqishëm dialogun Kosovë – Serbi

11:00 | 26 Maj 2023
Emir Abduramani

Ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, sot po qëndron në Kosovë për një vizitë zyrtare ku është takuar me homologen e saj nga Kosova, Donika Gërvalla-Schwartz.

Në konferencë për medie ps takimit, Osmani ka deklaruar se Maqedonia e Veriut e mbështet fuqishëm dialogun Kosovë – Serbi dhe përshëndeti miratimin e Deklaratës për të Pagjeturit në Bruksel më 2 maj.

“Ne mbështesim fuqishëm Dialogun e udhëhequr nga BE. Jam i inkurajuar nga progresi i fundit, duke përfshirë miratimin e Deklaratës për Personat e Zhdukur. Siç e vura në dukje në Bosnje dhe Hercegovinë dhe riafirmova dje në Serbi, është thelbësore që ne të kthejmë me vendosmëri faqen dhe të shikojmë, së bashku, drejt së ardhmes”, ka thënë ai.

Fokusi më i madh në dialog, sipas tij zvogëlon mosmarrëveshjet mes dy vendeve.

“Përpjekjet e bashkëpunimit rajonal treguan rëndësinë e të qëndruarit pranë dhe të punës së bashku. Sa më shumë ta maksimizojmë dialogun për bashkëpunimin rajonal në Ballkan, aq më shumë e minimizojmë hapësirën për mosmarrëveshje… Dialogu në rajonin tonë është dëshmuar gjithmonë të jetë i dobishëm. Në rastin e Maqedonisë së Veriut, ai siguroi një kuptim më të fortë të mirëkuptimit dhe mënyrave për të ecur përpara. Pavarësisht nga të gjitha sfidat, ne nuk duhet të ndalojmë kurrë së foluri për gjëra të rëndësishme. Kjo është gjithashtu e rëndësishme për Dialogun e lehtësuar nga BE-ja”, tha ai.

Ai ripotencoi se tensionet në veri të Kosovës duhet të ndalen, rrjedhimisht, hapësira për dialog të jetë më e madhe.

“Jemi të lumtur që kemi pritur një takim të rëndësishëm në Ohër, i cili hapi më tej rrugën për normalizimin e marrëdhënieve. Ne e mbështesim fuqishëm këtë proces, duke kontribuar në stabilitetin rajonal. Këtë e thashë dje në Beograd dhe do të doja ta përsërisja përsëri këtu në Prishtinë. Është e rëndësishme të zvogëlohen tensionet në terren në veri të Kosovës për t’i dhënë hapësirë procesit politik të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Siç është thënë tashmë nga Misioni i OSBE-së, OSBE-ja është e gatshme të mbështesë zbatimin e marrëveshjeve të arritura në kuadër të Dialogut”, tha ai.

Bujar Osmani është duke e zhvilluar vizitën në Kosovë në cilësinë e kryesuesit të OSBE-së, kjo pasi  Maqedonia e Veriut sipas radhës po e drejton OSBE-në. Gjatë ditës së enjte Osmani ka qëndruar edhe në shtetin serb./Arbresh.info

 

 

Të ngjashme