Osmani: LDK më unike dhe më e fortë se kurrë drejt fitores më 6 tetor

20:45 | 20 Shtator 2019
A. B.

Gjatë një takimi me banorët e lagjes “Dardania” në Gjilan, kandidatja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryeministre, Vjosa Osmani, ka thënë të premten në mbrëmje se LDK është më unike dhe më e fortë se kurrë drejt fitores së 6 tetorit.

“Të gjithë oponentët tanë politikë e dinë që është vetëm një parti që mund t’i dalë zot Kosovës. Është vetëm LDK që do t’i bëjë qytetarët të ndiheni të nderuar dhe të respektuar kur përfaqësohen jashtë vendit. Ata që sot po kërkojnë votën tuaj i kanë të mbyllura dyert kudo në botë. Është vetëm LDK-ja që e ka çdo derë të hapur dhe nëpërmes këtyre dyerve ndërtojë miqësi dhe miq të cilët në vitin 1999 u bënë shpëtimtarët tanë”, tha Osmani.

Ajo pohoi se shpëtimtarët e Kosovës – aleatëve tanë euroatlantikë, ne nuk i gjuajmë me gurë. “Atyre shpëtimtarëve ne nuk ua ngulim thikën pas shpine. Me ta e ndërtuam shtetin dhe me ta do ta zhvillojmë këtë shtet. Prandaj na duhet ndihma e secilit prej jush”, shtoi Osmani.

“Ata që keqqeverisën për 20 vjet, sërish po e kërkojnë besimin tuaj. Keqpërdorën votën tuaj, taksën, djersën tuaj, keqpërdorën punën, madje keqpërdorën edhe gjakun e dëshmorëve që dhanë jetën për liri. Ka ardhur koha që nga Dardania, nga Gjilani dhe e gjithë Kosova, të jehojë një ‘boll më’ njerëzve që keqpërdorën, boll ma njerëzve që vodhën, boll më njerëzve që asnjëherë nuk i dolën zot Kosovës”, tha kandidatja e LDK-së për kryeministre./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme