Google ADS

Osmani kujton Nekibe Kelmendin: Ajo gjeti forcën që humbjen ta shndërronte në motivim

12:57 | 19 Qershor 2021
L G

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka përkujtuar veprimtaren Nekibe Kelmendi, në dhjetë vjetorin e vdekjes së saj.

Osmani e ka cilësuar Kelmendin si njërën ndër intelektualet më të shquara të Kosovës, e cila gjeti forcën që humbjen ta shndërronte në motivim për punë edhe më të madh për idealin e saj e të qytetarëve të saj.

“Dhjetë vjet më parë kaloi në amshim, Nekibe Kelmendi. Ajo ishte njëra ndër intelektualet më të shquara të Kosovës dhe veprimtare e paepur për pavarësimin e vendit tonë. Si njëra ndër juristet e para në Kosovë, gjatë gjithë jetës së saj nuk reshti së punuari për ta mbrojtur të drejtën e Kosovës për të qenë e lirë dhe e pavarur”, është shprehur Osmani, shkruan arbresh.info.

Si model i gruas së emancipuar dhe të guximshme, Osmani thotë se Kelmendi e gëzoi respektin e të gjithëve për përkushtimin e saj për jetësimin e shtetit të Kosovës.

“Znj. Kelmendi dha shembullin e gruas së pathyeshme, e cila pavarësisht vështirësive dhe sfidave nuk u dorëzua asnjëherë, madje edhe atëherë kur fati tragjik i saj dhe i Kosovës, bëri që ajo të humbte bashkëshortin dhe dy djemtë. Këtë humbje ajo e shndërroi në mjet qëndrese e në mjet për bashkëveprim politik”, shkruan Osmani.

“Ajo gjeti forcën që humbjen ta shndërronte në motivim për punë edhe më të madh për idealin e saj e të qytetarëve të saj. Ajo nuk u dorëzua para asnjë vështirësie. Shembulli i saj për ruajtjen e sistemit unik të gjyqësorit në Kosovë sot e kësaj dite mbetet njëri ndër shembujt e vyer për jetësimin e shtetësisë së Kosovës. Sot Kosovës i duhen gra e burra të dinjitetshëm e me integritet sikur Nekibja”, ka shkruar ndër të tjera presidentja Osmani./arbresh.info/.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme