Osmani: Kosova është nën sulm, është nën akt agresioni

19:47 | 3 Tetor 2023
E.H

Në intervistën ekskluzive për Christiane Amanpour në CNN, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është pyetur në lidhje me Asociacionin.

Ajo tha se Kosova është zotuar se do t’i zbatojë marrëveshjet e Brukselit, e sidomos këto të fundit në Bruksel e Ohër.

“Kosova është nën sulm, është nën akt agresioni. Natyrisht, gjëja e parë që e duam është që Radoiçiqi t’i dorëzohet Kosovës që të ketë drejtësi. Serbia nuk ka bërë drejtësi. Së dyti, ka vetëm një palë konstruktive në atë dialog, dhe ajo ka qenë Republika e Kosovës që i ka plotësuar 99% të obligimeve, është krejtësisht e kundërta që ka bërë Vuçiqi. Siç tha në intervistën tuaj, ‘unë jam i gatshëm të negociojë’, por Serbia s’ka realizuar asnjë marrëveshje. Ka një listë të gjatë të obligimeve që i ka ndërmarrë që nga 2011, diplomat e të tjerat. Më 2013, Serbia u zotua për shpërbërjen e të gjitha strukturave ilegale në veri, por ato u kthyen në banda kriminale që po kryejnë akte terroriste me urdhër të Serbisë. Kosova është zotuar se do t’i zbatojë marrëveshjet, nisur nga ajo e Brukselit dhe e Ohrit. Do të thotë, është zotuar për vetëmenaxhim për serbët. Por të mos harrojmë, Kosova po kërkon diçka të thjeshtë: duam balans dhe drejtësi në atë dialog, që nuk e kemi pasur. Grupet kriminale të Vuçiqit kanë sulmuar 93 ushtarë të KFOR-it, dhe s’ka llogaridhënie. Nuk duhet të ketë pandëshkueshmëri për ta”, deklaroi Osmani për Amanpour, raporton Klankosova.tv.

Më tej, e para e shtetit tha se Kosova ka propozuar një plan për sekuencim të marrëveshjes, por që të njëjtën gjë nuk e ka bërë pala serbe.

“Ne kemi marrë çdo hap që të jemi pala konstruktive në dialog. Kemi propozuar një plan për sekuencimin e marrëveshjes, kemi ecur me këshillat e partnerëve, tani jemi në koordinim me partnerët. Serbia nuk e ka bërë këtë gjë. Tani jemi në një akt agresioni që ka vrarë njerëz. Do të dëshiroja që Serbia të implementonte marrëveshjet”, u shpreh Vjosa Osmani.

Lexo edhe:

Osmani në CNN: Serbia duhet të sanksionohet për veprimet e saj

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme