Osmani: Koha që Kosova t`i bashkohet NATO-s

14:03 | 5 Shkurt 2024
E.G

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka kërkuar Gjermanisë përkrahje për anëtarësim në Bashkim Evropian dhe NATO. Anëtarësimin e Kosovës në këtë të fundit, Osmani e ndërlidhi me sulmin e 24 shtatorit të vitit të kaluar në Banjskë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pas takimit me ministrin e Mbrojtjes së Gjermanisë, Boris Pistorius, ka thënë se Gjermania ka qenë aleat i Kosovës në procesin e shtetndërtimit si dhe edhe tash kur po forcohet demokracia.

“Vendimi për rritjen e trupave ushtarake nga ana e Gjermanisë është reflektim i qartë i mbështetjes për popullin tonë, por edhe mbështetjes për përpjekjet tona për paqe, stabilitet dhe siguri afatgjate në rajonin tonë”, ka deklaruar Osmani.

Presidentja ka thënë se tani është koha që Kosova t’i bashkohet NATO-s dhe se një vendim i tillë është pozitiv për gjithë Ballkanin Perëndimor.

“Për fat të keq politika shtetërore e Serbisë po e sfidon integritetin territorial të Kosovës dhe angazhohet për akte agresioni. Natyrshëm për t’i parandaluar sulmet në të ardhmen kemi nevojë për ndihmën e Gjermanisë sikurse aleatëve të tjerë. Sulmi i 24 shtatorit ishte përpjekje për ta minuar paqen dhe stabilitetin jo vetëm në Kosovë por në tërë Ballkanin Perëndimor. Prapa sulmit terrorist qëndron Serbia dhe institucionet, nga organizimi e te furnizimi”, ka deklaruar Osmani./rtk/

Të ngjashme