Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kërkoi nga Bashkimi Evropian dhe aleatët e tjerë të Kosovës që t’i bëjnë presion Serbisë, që të respektojë obligimet që ka marrë nga Marrëveshja drejt normalizimit të raporteve.
Gjatë vizitës zyrtare në Maqedoninë e Veriut, Osmani tha se Serbia me veprimet e fundit ka bërë “shkelje flagrante” të dy neneve të Marrëveshjes drejt normalizimit, që u arrit në fund të shkurtit në Bruksel, dhe të aneksit të saj, që u arrit një muaj më vonë në Ohër.
Kjo marrëveshje synon të çojë palët drejt normalizimit të plotë të raporteve.
Ajo tha se në rundin e ri të dialogut, që mbahet më 2 maj në Bruksel, Kosova do të ketë qasje konstruktive dhe të hapur.
“Se cilat do të jenë veprimet e Serbisë, pak a shumë mund t’i nuhasim nga deklaratat e fundit, e mbi të gjitha nga veprimet të cilat kanë qenë shkelje e marrëveshjes të arritur në Bruksel dhe aneksit në Ohër. Siç e dini, neni 4 i kësaj marrëveshjeje parasheh që Serbia nuk do të kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare. Sjellja e tyre të hënën në Këshillin e Evropës, por edhe lobimi i tyre kundër votimit pro Kosovës e ka dëshmuar këtë shkelje flagrante. Natyrisht, edhe ndërhyrja e tyre e paligjshme në zgjedhjet në Kosovë, është edhe shkelje e nenit 2 të kësaj marrëveshjeje”, tha Osmani gjatë konferencës për media me homologun e saj maqedonas, Stevo Pendarovski.
Më 24 prill, në takimin e Komitetin e Ministrave të Këshillit të Evropës, Serbia votoi kundër aplikimit të Kosovës në këtë organizatë evropiane.
Autoritetet serbe madje kanë paralajmëruar se do të përdorin masën e reciprocitetit ndaj shteteve që nuk respektojnë integritetin territorial të Serbisë.
Sipas Kushtetutës serbe, Kosova figuron pjesë e territorit të Serbisë.
Ndërkaq, presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, tha se shteti i tij ka qëndrim të njëjtë si ndaj Kosovës, ashtu edhe ndaj Serbisë, pasi që njeh pavarësinë e të dyjave dhe ka raporte diplomatike.
Ai tha se këto dy shtete mund të mësojnë nga Marrëveshja e Ohrit e vitit 2001, që i dha fund konfliktit të armatosur në Maqedoninë e Veriut.
“Nëse dikush dëshiron të marrë përvoja nga ajo që ne arritëm me Marrëveshjen e Ohrit në vitin 2001 nuk do të gabojë, edhe pse specifikat e çdo shteti diktojnë edhe zgjidhje specifike për ato shtete. Nuk them se situatat janë identike apo që zgjidhjet tona të mund të reflektohen edhe në raportet mes Kosovës dhe Serbisë, por mund të merret ajo çfarë mendojnë se është e mirë. Por, vendimi final se çfarë do të pranojnë në atë dialog kuptohet se i takon organeve legjitime në Prishtinë dhe Beograd. Ne jemi fqinj të mirë që duam të shohim fundin e këtij kontesti të gjatë, që realisht ngadalëson bashkëpunimin rajonal që është shumë i rëndësishëm për përgatitjen e integrimit të rajonit në strukturat euroatlantike”, tha Pendarovski.
Gjatë qëndrimit në Shkup, presidentja Osmani po ashtu tha se në rajonin e Ballkanit Perëndimor ka tendenca destabilizuese, që sipas saj, duhet që të parandalohen, si dhe ka ndikim malinj të Rusisë./REL
Bunjaku reagon ndaj kryetares së Autoritetit te Konkurrencës...
Moti i keq në Shqipëri/ Bllokohen disa akse rrugore, disa zo...
Kauza e bashkimit kombëtar nuk ishte një qëllim, por një mje...
Konjufca pret në takim një delegacion nga Azia Jugore, disku...
Regjimenti i Mjekësisë së FSK-së, merr pjesë në një ushtrim ...
Agim Ademi dhe Franco Foda optimistë për ndeshjen me Islandë...