Google ADS

Osmani kërkon mbështetjen e Guineas për shtimin e njohjeve nga shtetet afrikane

22:13 | 22 Shtator 2021
Përparim Bublaku

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë qëndrimit në New York ka takuar presidentin e Guinea Bissau, Umaro Sissoco Embaló.

Republika e Kosovës dhe Guinea-Bissau kanë vendosur marrëdhënie diplomatike nga viti 2018, ndërkohë që ato janë cilësuar të shkëlqyeshme me mundësi të intensifikimit të tyre.

Presidentja Osmani ka kërkuar mbështetjen e homologut Embaló për lobim të vendet afrikane për rritjen e numrit të njohjeve. Kërkesë për mbështetje të tillë, Presidentja ka bërë edhe sa i përket përpjekjeve të Kosovës për anëtarësim në organizata ndërkombëtare për të cilën gjë ka marrë mbështetje nga presidenti Embaló, thuhet në komunikatën e Presidencës.

Teksa ka prezantuar gjendjen aktuale në Kosovë, Presidentja Osmani ka theksuar se synimi i vendit mbetet anëtarësimi në strukturat euro-atlantike. Ndërkaq për dialogun me Serbinë, Presidentja ka thënë se Kosova është për dialog, fundi i të cilit duhet të jetë njohja reciproke.

Të dy palët në takim thanë se ka potencial për bashkëpunim ndërmjet dy vendeve, ndaj u la e hapur mundësia që të identifikohen mundësitë për bashkëpunim ekonomik, por edhe shkëmbime në fusha të interesit të dyanshëm./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme