Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka thënë se Kosova po kërkon garanci nga parnerët ndërkombëtare për zbatimin e detyrimeve që dalin nga marrëveshja e Ohrit.
Osmani iu referua kryesisht çështjes së Asociacionit, pikës më të nxehtë në mosmarrëveshjet mes Prishtinës dhe Beogradit.
Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Osmani shtoi se Kosova nuk po kërkon t’i largohet detyrimeve të saj, por që të ketë sikurse tha ajo,zbatim paralel të marrëveshjes së arritur në Bruksel, e njohur si Marrëveshja bazike dhe Aneksi i Ohrit, ku ka detyrime për Kosovën, por dhe deyrime të qarta për Serbinë, të cilat në tërësinë e tyre nënkuptojnë njohje de fakto të Republikës së Kosovës, transmeton Arbresh.info.
Osmani: Natyrisht është aspekt i rëndësishëm për sigurinë në rajon dhe për të ardhmen tone euro-atlantike që të ketë sukses në procesin e dialogut. Kjo është arsyeja e këmbënguljes së vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve tanë të tjerë sepse sa më shumë që të ketë suksese në dialog aq më shpejtë do të bëjë Kosova hapa vendimtarë drejt BE-së dhe NATO-s.
Osmani: Por duhet ta bëjmë një gjë të qartë. Në çdo kontratë, në çdo marrëveshje janë dy palë dhe është parim bazik i të drejtës ndërkombëtare që në qoftë se një palë tërhiqet nga marrëveshja, atëherë pala tjetër nuk ka asnjë detyrim që të zbatojë pjesë e saj të marrëveshjes. Ajo çfarë po insistojmë ne si Kosovë është jo që ne të ikim nga obligimet tona, por që të ketë zbatim paralel të marrëveshjes së arritur në Bruksel, e njohur si Marrëveshja bazike dhe Aneksi i Ohrit, ku ka obligime për Kosovën, disa prej të cilave kanë qenë koncesione të vështira, por ka edhe obligime të qarta për Serbinë, të cilat në qoftë se merren në tërësinë e saj konstituojnë njohje de fakto të Republikës së Kosovës siç është potencuar qartë edhe nga liderët evropianë në deklaratën e tyre të 26 tetorit.
Osmani: Pra, nuk mundet Serbia të deklarohet hapur dhe të dërgojë letër nga ana e Kryeministres që po tërhiqen në tërësi dhe nuk do ta zbatojnë marrëveshjen dhe ne të ofrohemi si vullnetarë që gjithçka të zbatojmë pa marrë garanci në anën tjetër.
Osmani: Ajo çfarë e kam thënë edhe në intervistën e fundit në fakt për Zërin e Amerikës para pak muajsh kur isha në seancën e Këshillit të Sigurimit, është kjo: në qoftë se të gjithë jemi të bindur edhe ne edhe partnerët tanë që Serbia nuk do të zbatojë pjesën e saj të marrëveshjes, atëherë ne duhet t’i rikthehemi strategjisë së viteve 2007-2008, në kohën kur bëheshin negociatat për statusin e Kosovës. Marrëveshja jonë, dakordimi ynë, ka qenë me partnerët, jo me Serbinë, sepse Serbia nuk e donte Ahtisaarin dhe neve na duhet një dakordim i tillë. Nëse Kosova do t’i zbatojë të gjitha këto detyrime që i ka marrë, na duhen garanci për sigurinë, mbështetje ndërkombëtare, anëtarësim në organizata ndërkombëtare, jo si transaksion, por si projekt i cili përfundimisht e mbyllë këtë temë dhe sjell më shumë paqe e siguri në rajon.
Osmani: Natyrisht që i takon Kosovës që të ndërmarrë hapa për Asociacionin dhe i takon Serbisë që të ndërmarrë hapa drejt njohjes de fakto. Të dyja janë në marrëveshjen e njëjtë. Ne nuk mund t’i injorojmë nenet 1 deri 6 dhe të kërcejmë vetëm tek neni 7 dhe të kërkojmë vetëm zbatimin e një neni. Kosova nuk po thotë që nuk do të formohet Asociacioni.
Osmani: Në raport me qytetarët tanë ne nuk do të duhej ta krijojmë përshtypjen që Asociacioni ndihmon qytetarët serbë në Kosovë. Në fakt sistemi më i avancuar i të drejtave të pakicave ekziston në Republikën e Kosovës tani, me Kushtetutën aktuale, me ligjet e pakos së Ahtisaarit dhe me ligjet e tjera të cilat ne i kemi miratuar si rezultat i marrëveshjeve të dialogut.
Osmani: Me Asociacionin, ju siguroj një gjë, vetëm sa pakësohen të drejtat e qytetarëve dhe fuqizohet një lloj pushteti mbi ta, pra liderët e Asociacionit, të cilët Vuçiçi për momentin e ka qëllimi t’i kontrollojë dhe në njëfarë mënyre ta bëjë Kosovën shtet jofunksional. Pra Asociacioni nuk ju jep më shumë të drejta qytetarëve serbë, por përkundrazi merr më shumë të drejta nga poshtë dhe i dërgon ato lart, që është në kundërshtim me parimet bazike të Këshillit të Evropës, sipas të cilit për t’i fuqizuar komunitetet pakicë duhet të ketë më shumë sovranitet nga lart poshtë dhe jo e kundërta. Asociacioni në fakt bën të kundërtën.
Dhimbja që “udhëton” nga shpatulla në bërryl shkaktohet zako...
Ismajli gati për hapin e madh në karrierë, ai refuzon rinovi...
Mbappe: Bilbao më bëri mirë, mund të bëj shumë më tepër
“Duhet të luftojmë”, Zelensky tregon çfarë i duhet Ukrainës ...
Të paktën 28 të vrarë nga sulmet në Gaza
Kurti mërgatës: Paramendojeni çfarë bëjmë 37 mijë votat ju m...