Google ADS

Osmani: Ka çështje që krijojnë dykuptimësi në draftstatutin e Asociacionit

17:05 | 21 Nëntor 2023
E.K

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, deklaroi se ka çështje që krijojnë dykuptimësi në draftstatutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Këto deklarata Osmani i ka bërë pas ndarjes së çmimit për “Guxim-Vasfije” për doktorin Shukri Gërxhaliun.

Ajo shpreson se të njëjtat do të eliminohen para se drafti të dërgohet për interpretim në Gjykatën Kushtetuese.

Osmani tha se ka përgatitur komentet me shkrim dhe se i ka dërguar te të gjithë aktorët e përfshirë në përgatitjen e këtij drafti. Ajo tha para medieve se është kërkesë e emisarëve ndërkombëtarë që të mos bëhen publike komentet në lidhje me këtë draft-statut.

“Në qoftë se drafti procedohet në Gjykatën Kushtetuese, atëherë si presidente e vendit do t’i dorëzoj komentet. Unë kam punuar në analizë të këtij dokumenti. Komentet me shkrim të cilat i kam përgatitur, i kanë të gjithë aktorët relevantë të cilët kanë qenë të përfshirë në përgatitjen e këtij drafti, përfshirë Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ka çështje të cilat patjetër duhet të sqarohen, sepse krijojnë dykuptimësi, e rrjedhimisht do të mund të shkaktonin probleme në praktikë. Me shpresën që ato mund të eliminohen edhe në këtë fazë, pra para se të shkojë drafti në Gjykatë Kushtetuese. Mirëpo në qoftë se jo unë jam e bindur që Gjykata do i sqarojë ato duke u bazuar edhe në interpretimet e vet gjykatës që i ka dhënë në vitin 2015, shumë prej të cilave janë si parime udhërrëfyese tani për çfarëdo asociacioni”, deklaroi Osmani./rtk

Të ngjashme