Osmani: Ideja e Kosovës Republikë u bart brez pas brezi

22:54 | 27 Nëntor 2023
E.G

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në përurimin e pllakës së Familjes Dumoshi tha se ideja e Kosovës Republikë u bart brez pas brezi.

“Ideja e Kosovës Republikë u bart brez pas brezi, nga viti ‘68 në ‘81 e ‘97, me daljen publike të UÇK-së përgjatë rezistencës së prirë nga Presidenti historik, Ibrahim Rugova e ndërtimit të aleancave nga ana e tij përgjatë luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës gjatë viteve të ‘90-ta në krye me komandantin Adem Jashari e përfundimisht mori vulën në vitin 2008 me shpalljen e Kosovës, shtet të pavarur e sovran”, tha ajo.

Sipas saj, Kosova sot më në fund është Republikë, është vend i lirë, ndërsa kujtimi për patriotët e lëvizjes kombëtare do të jetë i përhershëm!

Fjalimi i plotë:

Të nderuar të pranishëm,
Shumë e dashur familje Dumoshi,
Të nderuar deputetë, kryetarë të partive politike,
Bashkëpunëtorë të familjes Dumoshi,
Të nderuar anëtarë të Lëvizjes “Shoqëria”,
Të nderuar anëtarët e Shoqatës së Burgosurve Politik,
Shumë të nderuar të pranishëm,
Vërtetë është nder i madh që sot të jem në mesin tuaj, në një ceremoni dedikuar një gruaje dhe tre burrave, të cilët në kohë të vështira e bën të pamundshmen për ta zgjuar vetëdijen kombëtare, për ta zhvilluar arsimin në gjuhën shqipe dhe për ta dhënë kontributin e jashtëzakonshëm në përmbushjen e ambicies së kamotshme për Kosovën e lirë.
Pllaka të cilën po e përurojmë sot mbanë emrat e Sadije, Xhemajl, Osman dhe Ismail Dumoshit, e vendosur pikërisht në shtëpinë, e cila atëkohë ishte vatër e aktivitetit kombëtar.
Sot po e vulosim një kujtesë, por poashtu po nderojmë kontributin e tyre, i cili duhet të shërbejë si frymëzim e motiv për secilin prej nesh se si duhet të mbrohet gjuha, kombi dhe atdheu.
Kjo pllakë dhe ky nderim na tregon se historia e lëvizjes sonë për liri e pavarësi është e hershme.
Sadia në mbrojtje të së drejtës së bijve të saj për mësim në gjuhën shqipe, Xhemajli, Osmani e Ismaili në angazhimin e tyre për emancipim, arsimim, për liri e për Republikë përbëjnë pjesën domethënëse të kontribuuesve për lirinë dhe pavarësinë tonë.
Në nëntorin e festave kombëtare, në nëntorin e lavdishëm, nderimi ndaj tyre është rikthim në kujtesë i ngjarjeve historike, të cilat i paraprinë realizimit të ëndrrës sonë për shtet.
Demonstratat e vitit 1968 ishin vetëm fillimi i rrugës sonë të gjatë e të zorshme për artikulimin e kërkesës sonë për Kosovën Republikë. Në këtë shtëpi, Ismail Dumoshi me shumë e shumë aktivistë të tjerë, nisën betejën për Kosovën Republikë, ëndrrën e atëhershme, realitetin e sotëm.
Angazhimi i tyre, por edhe i shumë veprimtarëve të tjerë, bëri që më 6 tetor 1968, regjimi i atëhershëm jugosllav ta lejojë përdorimin e flamurit kombëtar, me të cilin populli ynë e zhvilloi gjithë përpjekjen dhe luftën për pavarësinë dhe shtetin e Kosovës.
Në analet e historisë sonë, familja Dumoshi konsiderohet ndër kontribuuesit kryesorë, ideatorët dhe udhëheqësit e demonstratave të vitit ‘68 në Prishtinë e më gjerë. Përpjekja e tyre për zhvillimin e arsimit shqip dhe për vetëdijen kombëtare ka lënë gjurmë të dukshme. Ismaili dhe gjithë familja e tij e konsideronin arsimimin shtyllë kryesore të vetëdijesimit tonë kombëtar.
Në saj të kësaj qasje dhe këtij angazhimi, ideja e Kosovës Republikë u bart brez pas brezi, nga viti ‘68 në ‘81 e ‘97, me daljen publike të UÇK-së përgjatë rezistencës së prirë nga Presidenti historik, Ibrahim Rugova e ndërtimit të aleancave nga ana e tij përgjatë luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës gjatë viteve të ‘90-ta në krye me komandantin Adem Jashari e përfundimisht mori vulën në vitin 2008 me shpalljen e Kosovës, shtet të pavarur e sovran.
Prandaj, në këtë nëntor i përkulemi veprimtarisë së familjes Dumoshi, sikurse edhe veprimtarisë së shumë patriotëve të tjerë, me sakrificën e të cilëve sot jemi popull i lirë në mesin e popujve tjerë të lirë.
Kosova sot më në fund është Republikë, është vend i lirë, ndërsa kujtimi për familjen Dumoshi dhe patriotët e tjerë të lëvizjes kombëtare do të jetë i përhershëm!
Ju faleminderit!/Arbresh.info/

Të ngjashme