Osmani i kundërpërgjigjet Meliza Haradinajt: Të gjitha palët janë njoftuar me shkarkimet

23:36 | 26 Nëntor 2020
L G

Ushtruesja e detyrës së Presidentit, Vjosa Osmani i është kundërpërgjigjur ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla, pasi tha se nuk është njoftuar zyrtarisht për vendimin lidhur me shfuqizimin e katër dekreteve, që do t’i kthejë në Kosovë katër konsujt e përgjithshëm të emëruar muaj më parë.

Presidenca në një përgjigje për Express tha se dekretet janë dorëzuar në mënyrë elektronike te të gjitha palët.

” U.d. Presidentja përpara publikimit të vendimit e ka njoftu Kryeministrin Hoti në orën 10:30 dhe pastaj ministren Haradinaj rreth orës 17:00″, thuhet në përgjigjen e Presidencës.

MPJD ka thënë se nuk mund të ndërmarrin asnjë hap, derisa t’i pranojnë zyrtarisht dokumentet nga Presidenca.

Të mërkurën, Presidenca ka njoftuar se u.d. e presidentes, Vjosa Osmani i ka shfuqizuar katër dekretet për emërimin e konsujve të përgjithshëm të Kosovës në Pragë, Lubjanë, Shkup dhe Tiranë.

Vendimi i Osmanit ka ardhur pasi Flakron Shala, djali i deputetit të AAK-së, Haxhi Shala, është emëruar si konsull i përgjithshëm në Pragë të Çekisë.

Po ashtu janë shkarkuar edhe Blendi Kilaj nga konsullata në Lubjanë, Lindon Kqira nga konsullata në Shkup dhe Halim Krasniqi nga konsullata e Kosovës në Tiranë.

Të ngjashme