Osmani: Fuqizimi i grave dhe zhvillimi i fuqisë punëtore kontribut i çmueshëm i MCC-së

18:10 | 15 Qershor 2020
L G

Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, priti sot në takim ekipin e Korporatës së sfidave të mijëvjeçarit – MCC nga Ambasada e ShBA-ve.

Në këtë takim, ekipin e MCC u përfaqësua nga Drejtoreshë e Millennium Challenge Corporation (MCC) për Kosovë, Sarah Olmstead, si dhe Specialistja për ndihmë zhvillimore,  Shqipe Neziri Vela, njofton zyra për media e Kuvendit të Kosovës, raporton arbresh.info.

Ekipi i MCC-së e njoftoi kryetaren Osmani rreth zhvillimeve të fundit sa i përket aktiviteteve të MCC-së si dhe fushat e veprimit në të cilat janë të fokusuar.

Kryetarja Osmani falënderoi ekipin e MCC-së për faktin që fokus i punës së tyre janë fushat zhvillimore të cilat ndikojnë drejtpërdrejt në përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve të vendit.

“Ju përgëzoj po ashtu që në të gjitha aktivitetet tuaja, theks të veçantë vendosni në fuqizimin e grave dhe zhvillimin e fuqisë punëtore, të dy komponentë tejet të rëndësishme për një zhvillim të qëndrueshëm në vendin tonë”, ka thënë Osmani.

Palët diskutuan edhe rreth rolit kyç të Kuvendit në fazën e radhës së aktivitetit të MCC-së në vend, me ç ‘rast kryetarja konfirmoi gatishmërinë për bashkëpunim dhe angazhim për përkrahje të projekteve të planifikuara në sektorin e energjisë./arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme