Osmani do ta përfaqësojë Kosovën në samitin e liderëve të Komunitetit Politik Evropian në Mbretërinë e Bashkuar

17:07 | 17 Korrik 2024
E.G

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka udhëtuar për në Mbretërinë e Bashkuar ku do ta përfaqësojë Republikën e Kosovës në samitin e katërt të Komunitetit Politik Evropian (EPC).

Osmani do t’i bashkohet 46 liderëve të tjerë të shteteve evropiane, institucioneve të BE-së, NATO-s, e organizatave të tjera ndërkombëtare, me qëllim të adresimit të çështjeve më urgjente për sigurinë dhe mirëqenien e qytetarëve anekënd Evropës, shkruan Arbresh.info.

Ajo tha se do të marrë pjesë në dy sesionet plenare të EPC-së, si dhe në tryezën e rrumbullakët të liderëve me temë “Mbrojtja e demokracisë: luftimi i manipulimit të informacionit nga shtetet e huaja”.

Në kuadër të Samitit, Presidentja Osmani do të zhvillojë takime bilaterale me liderë të tjerë evropianë si dhe do të marrë pjesë në pritjen e organizuar nga Mbreti Charles III dhe Kryeministri Keir Starmer.

Gjatë takimeve bilaterale, Presidentja Osmani do të diskutojë rëndësinë e forcimit të aleancave të Republikës sonë, si dhe thellimit të bashkëpunimit me shtetet partnere me fokus të veçantë në fushën e sigurisë./Arbresh.info/

Të ngjashme